Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjithë veteranët e UÇK-së të marrin pagë prej 170 eurosh, e jo sipas vendimit që mori dy ditë më parë, më të cilin parashihej kategorizimi i veteranëve
Heqjen e kategorizimin e kanë mirëpritur shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, por ata shprehin pakënaqësinë me pensionin prej 170 euro, ngase thonë se marrëveshja me Qeverinë ka qenë që pagesa të ishte 220 euro.
Kryeministri Isa Mustafa në mbledhjen e Qeverisë tha se vërejtja për shumën e ulët prej 130 eurosh për kategorinë e veteranëve të UÇK-së nën moshën 35 vjeç është e drejtë, ngase ka dalë që numri i tyre është tepër i vogël. Duke përmirësuar vendimin që Qeveria kishte marrë të mërkurën kategorizimin e veteranëve në bazë të moshës, kryeministri Mustafa tha se duhet të jetë pensioni i njëjtë për të gjithë veteranët e UÇK-së.
“Të pajtohemi që vendimi të jetë 170 euro për të gjithë, sepse duhet të ketë qenë dikush shumë i ri, që tani të jetë në atë moshë”, tha Mustafa.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha unifikimi nuk paraqet problem, ngase janë diku 20 deri 30 veteranë të UÇK-së, që janë nën moshën 35 vjeçare.
“Me këtë numër kaq të vogël, unë besoj që nuk ka problem që për të gjithë të fillojmë një pagesë prej 170 euro. Normalisht, sipas mundësive buxhetore, të shohim mundësinë që vitin e ardhshëm të rritet kjo shumë në përputhje me parashikimet në kornizën afatmesme”, tha Hoti.
Vendimin për heqjen e kategorizimit të veteranëve në bazë të moshës e kanë mirëpritur shoqatat e dala nga lufta. Faton Klinaku, sekretar i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, tha se kategorizimi ka qenë i padrejtë, ndërsa sa i përket caktimit të pensionit prej 170 euro, tha se do të diskutohen hapat e mëtejmë që do t’i marrin shoqatat e luftës.
“Rreth vendimit të sotëm, ende nuk e kemi shikuar, por ne do të takohemi si kryesi dhe do të vendosim se çka do të bëjmë. Por nëse është në përputhje me ligjin, ne presim që të zbatohet në mënyrë retroaktive”, tha Klinaku për Radio Kosovën.
Në mbledhjen e Qeverisë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi nuk e përmendi marrjen e pensioneve në mënyrë retroaktive.
“Ashtu siç përcaktohet me rregullore, pagesa e kompensimit, fillon me ditën e aplikimit, që i bjen nga 1 tetori. Ne do t’i shikojmë mundësitë buxhetore në qoftë se duhet të merret ndonjë vendim tjetër, edhe mund të marrim”, tha Abrashi.
Abrashi bëri të ditur se veteranët mund të fillojnë të aplikojnë nga 1 tetori, ndërsa dokumentacioni i nevojshëm për aplikim janë: letërnjoftimi, vërtetimi i lëshuar nga Zyra për kategoritë e dala nga lufta, certifikata e lindjes, certifikatat e lindjes së fëmijëve të veteranit, vërtetimi nga Administrata Tatimore e Kosovës që dëshmon se veterani nuk është në marrëdhënie pune, dy fotografi dhe një faturë e energjisë elektrike. RTK















