Krahas përgjimit se për kë voton edhe ndalimi për të hedhur fletën e Bardhë në kuti. Por skandali këtë herë është se për manipulimin e zgjedhjeve qeveria po përdor pandeminë dhe Komitetin e ashtuquajtur të Ekspertëve. Një javë para zgjedhjeve qeveria Rama ka vendosur të pengojë emigrantët që jetojnë në Greqi që të votojnë lirisht në vendin e tyre. Dhe për këtë ka përdorur si alibi rrezikun e inektimit me Covid 19.
Komiteti Shqiptar i Ekspertëve vendosi një karantinë 14-ditore për ata qytetarë që hyjnë në vend nga Greqia. Sipas Zëvendës Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Mira Rakacolli: “Efekti i vaksinimit ka filluar të ndihet, por në rajon situata është e ndryshme, në Maqedoninë Veriore dhe Greqi numri i rasteve dhe jetëve të humbura është rritur. “Duke pasur parasysh këtë situatë, ne besojmë se nga nesër do të jemi në karantinë për dy javë për ata që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia Veriore.”
“Kjo lëvizje vlerësohet nga organizatat e homogjenëve por edhe nga partitë e opozitës në Shqipëri, si një manovër që synon të parandalojë ata qytetarë shqiptarë që duan të udhëtojnë nga Greqia në Shqipëri të votojnë në 25 Prill. Nuk është sekret që Rama i konsideron qytetarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë si një faktor që mund të ndikojë në dëm të rezultatit të zgjedhjeve” shkroi gazeta greke Protho Tema.
Dekurajimi nga ana e rilindjes për ata emigrantë që as i kontrollon dot me patronazhistë, as i blen dot me para, duke përdorur ekspertët e pandemisë përban një skandal. Ndaj tij kanë reaguar me një deklaratë mbi dhjetë shoqata shqiptarësh që jetojnë në vendin fqinj.
“Ne, një grup organizatash të emigrantëve shqiptarë në Greqi, shprehim indinjatën tonë të thellë ndaj propozimit të Komunitetit Teknik në Shqipëri për vendosjen e një periudhe karantine prej 2 javësh për emigrantët shqiptarë në Greqi që vijnë në Shqipëri përpara zgjedhjeve të përgjithshme.
Kjo masë e propozuar pengon dhe u mohon të drejtën e votimit emigrantëve shqiptarë që duan të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese edhe njerëzore për të votuar.
Për më tepër, ky është një akt diskriminues ndaj shqiptarëve në Greqi pasi emigrantët e vendeve të tjera lejohen të hyjnë në Shqipëri, ndërsa ata nga Greqia jo. Kjo është diskriminuese!
Kjo duket qartë një skemë e qëllimshme për arsye politike, por e cila penalizon, diskriminon dhe shkel të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi” thuhet ndër të tjera aty.
“Sinqerisht jam i befasuar nga ky vendim,” – u shpreh për Euronevs Etmond Guri, përfaqësues i komunitetit shqiptar në Greqi, teksa theksoi se ishin me mijra qytetarë që do të vinin për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar.
Guri përmendi dy faktorë që bien ndesh me vendimin “karantinë për emigrantët” duke filluar nga fakti se siç u shpreh ai, në Greqi janë 30 të infektuar për 1 milion banorë ndërsa në Shqipëri 45 të infektuar për 1 milion banorë.
Së dyti përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në Greqi tha se masat kufizuese në vendin fqinj janë shumë më të ashpra se aktualisht në vendin tonë, gjë që përsëri hedh poshtë, sipas tij, vendimin për karantinë dhe shtoi se masa është e panevojshme.
Kuptohet lehtësisht se rivendosja e karantinë për emigrantët ndërkohë që faktikisht në vend askush nuk zbaton masat dhe Shqipëria po eksperimenton imunitetin e tufës ka këllim elektoral. Por është e shpifur që për këtë po përdoren si fasadë ekspertët e shëndetësisë. Sekreti është se ka zona ku më 25 prill, vota e emigrantëve prodhon një mandat deputeti. Kështu në Gjirokastër, Vangjel Tavo i LSI-së sjell shumë minoritarë që të votojnë në favor të tij.
“Rilindja po shqyrtonte mundësinë e bllokimit të sistemit kompjuterik të kontrollit në kufijtë jugorë të vendit, por pas denoncimit tim tashmë po zbatojnë një plan të ngjashëm për të penguar emigrantët të votojnë. Turp komiteti i politiko-spertëve që u ndalojnë emigrantëve të drejtën e votës përmes skemës së dy javë karantinimit. Përse nuk e vendosni këtë masë më 26 prill por pikërisht 5 ditë përpara zgjedhjeve”?- ka thënë ai në një deklaratë.
Por me sa duket këto thirrje nuk e kanë ndalur aspak Komitetin e Ekspertëve politikë të përdorë edhe karantinën ashtu siç manipulonte me numrat e testeve apo të vdekjeve, në favor të rilindjes që i mban në punë. Lapsi.al