Në të trija këto kateogri, sipas raportit të nëntëmujorit të publikuar nga Ministria Financave, pati rritje të shpenzimeve, krahasuar me përiudhen e njëjtë të vitit të kaluar, shkruan Gazeta Fjala.
Kështu, udhëtimet zyrtare të qeveritarëve për nëntë muaj i kushtuan buxhetit të Kosovës gjithsej 7 milionë e 140 mijë euro. Kjo është 8 për qind më shumë se përiudha e njëjtë e vitit të kaluar.
Dorëlëshuar zyrtarët qeveritarë u treguan edhe tek shpenzimet për telefon e internet. Shpenzuan 3 milionë e 360 mijë euro, apo 8 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Ndërkaq, për derivate dhe lëndë djegëse 10 milionë e 290 mijë euro, por që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është për 14 për qind më pak.
Sipas raportit të nëntëmujorit, qeveritarët del se nuk janë kursyer as tek blerja e mobilieve për zyra. Gjithsej 2 milionë e 490 mijë euro shkuan për këtë kategori.
Shpenzimet 1 miliardë e 109 milionë euro
Në total Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa për nëntë muaj shpenzoi 1 miliardë e 109 milionë euro, apo 7 për qind më shumë krahasuar me shpenzimet e realizuara gjatë së njëjtës periudhë të vitit paraprak.
Sipas raportit të Ministrisë se Finacave, kjo rritje kryesisht është nxitur nga ekzekutimi më i lartë i shpenzimeve kapitale, pasuar nga një rritje në kategorinë e shpenzimeve për subvencione dhe transfere dhe pjesërisht nga një rritje në kategorinë e pagave për shkak të efektit të implementimit të kontratës kolektive.
“Nga këto shpenzime, 37 për qind janë paga dhe mëditje, 29 për qind janë subvencione dhe transfere, 21 për qind janë shpenzime kapitale, 12 për qind janë mallra dhe shërbime, dhe 1.5 për qind pagesa e interesit për borxhin shtetëror”, thuhet në raport.
Shpenzimet për paga dhe mëditje shënuan vlerën prej 407.05 milionë euro gjatë këtij nëntëmujori, duke arritur kështu normën e ekzekutimit në 99 për qind krahasuar me vlerën totale të buxhetuar për këtë kategori për këtë periudhë, shkruan Gazeta Fjala.
Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, për paga u shpenzuan 17.15 milionë euro më shumë. Kjo rritje sipas Ministrisë se Financave ka ardhë pas implementimit të kontratës kolektive.
Më e shtrenjtë Qeveria ishte edhe tek shpenzimet për subvencione dhe transfere. Këto shpenzime në total regjistruan shumën prej 320 milionë e 690 mijë euro, që paraqet një rritje prej 10 për qind krahasuar me vitin 2015.
“Kjo rritje ka ardhur si rezultat i rritjes së pensioneve kontribut-dhënëse, rritjes prej 25 për qind të përfitimeve për asistencë sociale dhe fillimi i pagesës së përfitimeve për veteranët luftëtarë”, jepen sqarime në raport.
Shpenzimet kapitale shkojnë në asfalt
Shpenzimet kapitale për nëntë muaj arritën vlerën prej 235 milionë e 950 mijë euro, që është rreth 11 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015.
Në kuadër të shpenzimeve kapital edhe kësaj here prinë shpenzimet për ndërtimin e rrugëve, ku pati rritje prej 85 milionë euro (ose 63.7 për qind) krahasuar me shpenzimet në këtë kategori gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2015.
Ndërsa, shpenzimet për shërbimin e borxhit shtetëror (pagesa e interesit dhe kryegjësë) kanë regjistruar 67.193 milionë euro, duke shënuar kështu një rritje prej 172 për qind krahasuar me pagesat për këtë kategori gjatë periudhës së njëjtë të vitit paraprak.
“Në këtë rritje kanë kontribuar pagesa e kryegjësë që ndërlidhet me kthimin e borxhit ndaj FMN-së për mbështetjen financiare nga programi i dytë Stand-By4”, thuhet në raportin e nëntëmujorit 2016-të.





















