Situata në Mitrovicë është më e qetë dhe turma e protestuesve është shpërndarë nga afërsia e urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Disa nga protestuesit raportohet të jenë arrestuar nga forcat e rendit.
Në pjesën jugore të qytetit, trafiku është rikthyer, megjithëse në qytet, vërehet një prani e shtuar e forcave vendore dhe ndërkombëtare të rendit.
Policia ka përdorur sot gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën e protestuesve, të cilët kishin dalë për të kundërshtuar ri-vendosjen e barrikadës në urën qendrore mbi lumin Ibër, nga ana e autoriteteve komunale të Mitrovicës së Veriut, në praninë e zyrtarëve të qeverisë së Serbisë.
Për dallim nga barrikada e para tre vjetëve, e cila përbëhej nga betoni dhe dheu, kjo e fundit, e vendosur më 18 qershor, u quajt “Parku i Paqes” dhe u mbush me vazo prej betoni.
Si pasojë e përplasjeve të sotme, vërehen katër vetura të djegura, por ende nuk ka informacione zyrtare për lëndime në njerëz.
Policia rajonale në Mitrovicë nuk ka komunikuar ende ndonjë shifër zyrtare për pjesëtarë të policisë që kanë mundur të lëndohen nga hedhja e gurëve në drejtim të tyre nga ana e protestuesve.
Edhe në pjesën veriore janë vërejtur tubime të serbëve lokalë.
















