Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paraqitur një plan shtatë pikësh për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, pas një bisede telefonike me presidentin e Ukrainës, Peter Poroshenko.
Sipas planit, Putin tha se duhet të ndalet ofensiva kundër forcave proruse në rajonet e Donetsk-ut dhe Luhansk-it, pastaj të tërhiqen forcat ukrainase deri në një distancë, ku nuk munden që përmes artilerisë të godasin me bomba apo raketa, forcat proruse.
Faza tjetër është që të vendoset një armëpushim, nën monitorim ndërkombëtar dhe të krijohet një zonë e sigurisë, transmeton Telegrafi.
Sipas pikës së katërt, duhet të ndërpriten operacionet e forcave ajrore të Ukrainës kundër civilëve dhe fshatrave.
Pika e pestë është shkëmbimi i të burgosurve sipas rregullës “të gjithë për të gjithë”, pa caktuar kushte të veçanta, ndërsa sipas pikës së gjashtë, duhet të krijohen korridore për kalimin e ndihmave humanitare për refugjatët.
Pika e fundit, e shtata, parasheh qasje të drejtpërdrejtë në ekipet për rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar dhe dëmtuar në Donbas.
Putin shprehu shpresë se zgjidhja e kësaj situate në Ukrainë do të përfundoj deri më pesë shtator, gjatë një takimi të përfaqësuesve të Grupit të Kontaktit të Kievit dhe Ukrainë juglindore.
Ai gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve të Ukrainës dhe rebelëve prorusë të ndërpresin luftimet.
















