Në një intervistë në shtypin italian, presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka thënë se vendi i tij nuk është agresor ndaj shteteve të tjera, por synon vetëm të ketë barazi strategjike me SHBA-të.
“Nuk ka qenë faji i Federatës Ruse, nëse marrëdhëniet me vendet e Bashkimit Europian janë përkeqësuar. Nuk ishim ne që vendosëm kufizime në tregti dhe në aktivitetin ekonomik. Ishin të tjerët që vendosën kundër nesh dhe u detyruam të marrim masa si kundërpërgjigje, – tha Putin, i cili përgënjeshtron zërat se Rusia mund të sulmojë NATO-n. “Vetëm një i çmendur ose një person në ëndërr mund të imagjinojë që Rusia një ditë do të mund të sulmojë NATO-n, – shtoi shefi i Kemlinit. – Kjo ide nuk ka kuptim, ndoshta dikush është i interesuar të ushqejë këtë frikë. Ndoshta SHBA-të duan të shmangin afrimin mes Europës dhe Rusisë. Dua t’u them: nuk duhet të kini frikë nga Rusia”.
Putin ka folur edhe për idenë e NATO-s për të krijuar një forcë ushtarake të gatshme për të ndërhyrë dhe kundërpërgjigjur në rast të një sulmi ndaj vendeve Balltike dhe Polonisë.
“Rusia nuk flet me gjuhë konfliktuale me asnjë. Politika jonë nuk ka karakter global, sulmues dhe agresiv. Ju jap një shembull: pranë brigjeve të Norvegjisë, ndodhen nëndetëse amerikane në shërbim të vazhdueshëm. Koha që duhet që një raketë të arrijë Moskën nga këto nëndetëse është 17 minuta”.
















