Mirëpo gjatë punimeve në shtratin e lumit, ekskavatorët e kontraktuar nga komuna nuk janë kujdesur për sigurinë publike.
Organizatori i protestës së pardjeshme Ruzhdi Morina dërgoi në KALLXO.com fotografi të gjendjes aktuale afër këtij lumi.
Morina tregoi edhe thellësinë e gropave të krijuara në lumë.
“Gropat janë të hapura diku afër 3 metra,” tha Morina.
KALLXO.com kontaktoi Arbër Ismajlin, shefin e kabinetit të kryetarit Lutfi Hazirin dhe vetë Lutfi Hazirin, për ata nuk iu përgjigjën interesimit për të folur rreth punëve që po kryhen në Lumin Mirusha.
Siç shihet edhe në fotografitë e dërguara nga Morina aty mungon shiriti parandalues që njofton se kjo pjesë është e rrezikshme.
Lagjja “Rexhep Dajkovci” është e stërbanuar dhe lëvizjet edhe të fëmijëve janë të shpeshta në këtë zonë.

Rregullimi i shtratit të lumit Mirusha ishte premtim parazgjedhor i ish-kryetarit të Gjilanit Qemajl Mustafa.
Përfundimi i kësaj pune vazhdon të jetë premtim edhe i kryetarit të tashëm Lutfi Haziri.
Në debatin “Jeta në Komunë” të zhvilluar në Gjilan në mars të këtij viti u fol shumë për punët e papërfunduara në shtratin e Mirushës.
Kohëve të fundit ka pasur raste edhe të mbytjes së fëmijëve nëpër gropa të hapura të pasiguruara me shenja parandaluese.
KALLXO.com në qershor raportoi për rastin në Kolovicë të Prishtinës ku patën vdekur aksidentalisht vëlla e motër.























