Përdoruesit e internetit e kanë vënë në dyshim bilancin e vdekjeve nga koronavirusi që ofron Pekini zyrtar. Së fundi, site-i më i madh i lajmeve online në vend, Tencent, jep shifra krejt të tjera mbi epideminë dhe pasojat e saj. Sipas tij, numri real i të vdekurve është 24,589, ndërsa ai i të infektuarve, 154,023.
Shkrimi i tij tërhoqi menjëherë vëmendje. Por pak pas publikimit të shifrave tronditëse, website-i iu kthye të dhënave zyrtare, 14.446 të infektuar e 304 të vdekur. Shifrat e mëhershme të tij i dhanë udhë menjëherë teorive të konspiracionit; disa thonë se ai bilanc ishte publikuar nga gazetarë që kanë një ndërgjegje, e që zgjodhën të sfidonin përmes këtij veprimi urdhrat e Pekinit.
Të tjerë pretendojnë se shifrat në ekran mund të jenë ndryshuar në mënyrë dixhitale. Lajmi mbërrin në mesin e spekullimeve se Partia Komuniste në Kinë mund të jetë duke e fshehur shkallën reale të epidemisë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdon të pretendojë se përhapja e koronavirusit, nuk ka arritur ende nivelin e një pandemie. Dr. Sylvie Briand, drejtore e OBSH-së për sëmundjet pandemike, u tha gazetarëve në Gjenevë se situata është në fazën “e një epidemie me vatra të shumëfishta”.



















