Nga Ardian Kamberi
Interesat në ulje të depozitave, kredia pothuaj e ngrire për ekonominë dhe mungesa e tregut të kapitaleve, përbëjnë rrezik madhor për stabilitetin ekonomik dhe jo vetëm.
Ne vitin 1997, kam shkruar në një gazete, që “arsyeja e vetme e përmasave të frikshme, që mori zhvillimi i skemave piramidale, ishte mungesa e një sistemi bankar të zhvilluar”. Në atë kohë interesat për depozitat bankare kane qenë shumë të larta dhe mundësitë për të menduar për tregun e kapitaleve ishin ende larg. Arsyeja është e thjeshtë: biznesi dhe individi që të zhvillojnë potencialet e tyre në një ekonomi moderne, kërkojnë dhe marrin financime.
Natyrisht kur mungon tregu i kapitaleve apo sistemi modern bankar, bizneset dhe individët kërkojnë financime jashtë tyre, dhe kjo është normale dhe e pashmangshme. Natyrisht, që në këtë treg të paformalizuar dhe pakontrolluar nëpërmjet institucioneve financiare, rreziku është tejet i larte dhe krijon terren edhe për abuzuesit. Kjo ndodhi në thelb në mesvitet 90’. Por a kontrollohet ky treg në mënyrë direkte? – Jo! Po nëpërmjet forcimit të institucioneve financiare? – Po! Dhe kjo është e vetmja mënyrë. Pra, nuk nxirret policia dhe gjykata në “terren” për të ndaluar tregun informal të kreditimit, por rritet fokusi në nxitjen e institucioneve financiare për të bërë detyrën e tyre duke krijuar hapësirat e gjithanshme dhe mbështetje.
E bëra këtë kujtesë, pasi duket që paraja jashtë sistemit bankar është ende e larte dhe në rritje, tregu i kapitaleve është inekzistent dhe kredia informale është bëre shqetësuese. Kur them shqetësuese e kam fjalën për bizneset dhe individët që përfshihen në këtë treg dhe për pasoje, për ekonominë shqiptare në përgjithësi. Dikush do të thotë, që sot as që bëhet fjalë për piramidat e para ‘97, duke argumentuar se shqiptarët janë “djegur” një herë dhe se institucionet e sotme kanë më shumë eksperiencë në parandalimin e tyre.
Unë mendoj të kundërtën, jo sepse këto fakte nuk janë të vërteta, por sepse ligjet e zhvillimit të ekonomisë tërheqin fort nga financimi e për pasojë, parandalimi direkt i piramidave nuk mund të bëhet. E vetmja mase strukturore e parandalimit të piramidave është forcimi i institucioneve legjitime të tregut të hapur. Më konkretisht: nxitja e kreditimit nëpërmjet sistemit aktual bankar dhe institucioneve të licencuara të kreditimit dhe fokusimi në mënyrë serioze tek infrastruktura e përshtatshme për tregun e kapitaleve.
Institucionet përgjegjëse për nxitjen e kreditimit të ekonomisë nëpërmjet sistemit financiar duhet të marrin seriozisht këtë situatë, sa nuk ka dalë jashtë kontrollit. Në këtë kuadër rolin themelor e ka Banka e Shqipërisë, padyshim. Nuk ka asnjë justifikim të tipit “bankat janë të huaja dhe nuk i detyrojmë dot”, sepse në fakt bëhet fjalë për menaxhimin e parave të Shqiptareve në funksion të tyre.
Pra, këto banka duhet të mbështeten nga e gjithë infrastruktura e një shteti, për të zhvilluar një biznes normal jo më për veten e tyre, por për të mirën e ekonomisë shqiptare në radhë të parë. Mekanizmat që zotëron një Bankë Qendrore janë të pafundme dhe kjo lidhet me misionin themelor për të cilin është themeluar. Institucionet e tjera të këtij vendi nuk mund të jenë “spektatorë” në pritje të rritjes së kredisë në ekonomi, por ta mendojnë seriozisht se nuk mund të flitet për asgjë tjetër, nëse rritja ekonomike dhe stabiliteti i vendit mbetet “peng” i financimit.
Të gjithë së bashku duhet të mendojnë si të përdorin paratë e shqiptarëve në të mirë të tyre, dhe më pas të mendojnë të zgjidhin situatën nëpërmjet marrjes së kredive nga jashtë. Nuk ka asnjë kuptim që paratë “flenë” me 1.5%, në rastin më të mirë, në banka dhe ne të kërkojmë kredi nga jashtë dhe të “gëzohemi” që financojmë projektet kombëtare nga mbi 10% në 5% interes në vit, për shembull. E kuptojmë çfarë bëjmë? Besoj se aritmetika është e thjeshtë dhe nuk ka nevojë për shumë mend.
Në një vend ku mungon tregu i kapitaleve, thellimi i diferencës së të pasurve dhe të varfërve rritet progresivisht. Nëse mundësia e popullsisë për të marrë pjesë në fitimet e kompanive me kthim të lartë kapitali nuk ekziston në mënyrë institucionale, atëherë e vetmja mundësi investimi për kursimet e qytetarëve mbetet depozita bankare ose financimi informal i këtyre bizneseve.
Kjo do të thotë që konkretisht, depozituesi merr rreth 1.5% interesa nga kursimet e tij, kurse kompanitë që zhvillojnë biznes me këto para, nëpërmjet kredisë, ose më thjesht akoma, nëpërmjet këtyre depozitave të lira sigurojnë norma të larta fitimi. Deri para pak vitesh, për shembull, norma e kthimit në industrinë e ndërtimit ka qenë rreth 100%, sot duket që norma reale e kthimit është mbi të paktën 10%, po të kemi parasysh vetëm normën e kredisë që përballojnë këto biznese (e kam fjalën për bizneset që realisht përfshihen në portofolin e mirë të kredisë në banka).
Kush merr pjesë në këto fitime, që në fakt janë rezultat i përdorimit të të gjitha burimeve të këtij vendi? Vetëm pronarët e tyre, duke mos u dhënë mundësi reale njerëzve që në mënyrë direkte të investojnë paratë e tyre në këto biznese. Instrumentet për të zhvilluar këtë treg kapitalesh janë të pafundme, por duhet të “çlirohen” rrugët për të bërë realitet një domosdoshmëri, që nuk është vetëm ekonomike, por ka të bëjë me një komponente të rëndësishme të ekuilibrit social.
Me fjalë akoma më të thjeshta, krijimi i tregut të kapitaleve nuk është vetëm një kërkesë për të qenë “si gjithë bota”, por më thelbësore se kaq, po të kemi parasysh që është instrumenti financiar që zbut diferencën ndërmjet të pasurve dhe të varfërve, duke krijuar shtresën e mesme të shoqërisë si shtresën e vetme që mban një shoqëri në ekuilibër.
Si përfundim, mendoj se nxitja e kreditimit dhe krijimi i tregut të kapitaleve me të gjithë fokusin e prioritetit aktual, do të kthejë paratë brenda institucioneve financiare dhe do të parandalojë përmasat e tregut informal të kredisë, sa jemi ende në kohë.
















