“Sali Berisha po shpërdëron paratë e shqiptarëve… po shpenzohen miliona dollarë për reklamë qeveritare…”. Kështu bërtiste Edi Rama dikur kur ishte në opozitë dhe kur qeveria e PD vërtet derdhi shuma të mëdha nga buxheti i shtetit për të paguar media dhe lobistë të huaj për qëllimet e saj.
Këtë thoshte Rama kur ishte në opozitë. Sepse me t’u bërë kryeministër bëri as më shumë e as më pak të njëjtën gjë. Madje në përmasa më të mëdha, më flagrante dhe pa përfillur ligjin. Rama deklaroi se ish kryeministri anglez Toni Blair do të ishte një këshilltar pa pagesë i qeverisë shqiptare dhe vetëm para pak ditësh një vendim qeverie nënshkroi dhjetra mijëra euro shtesë në një kontratë për bashkëshorten e Blair. Ashtu sikurse u përfol koncensioni i çuditshëm i kontrollit mbi doganat shqiptare nga një kompani angleze, që pas dy vjetësh rezultoi me një dështim të plotë në realizimin e të ardhurave.
Lajmi i fundit se qeveria shqiptare ka paguar 360 milion lekë për një shkrim ku e shpallte veten lider të reformave në Ballkan (kryeministri serb Vuçiç do të thoshte edhe më gjerë) është në vazhdën e shumë akteve të ngjashme, ku kryeministri Rama po përpiqet të blejë me paratë e shqiptarëve maskimin e dështimit në qeverisjen e tyre.
Eshtë tashmë një dredhi e njohur kjo, që kur i ke keq punët brenda të blesh vlerësime nga jashtë, të cilat mund të ndikojnë besueshmërinë e njerëzve. Veçanërisht në Shqipëri, ku autoriteti i të huajit, i ndërkombëtarit është thuajse i padiskutueshëm. Por nëse Berisha e nisi këtë marifet në fund të mandatit të tij të dytë, Edi Rama e filloi shumë shpejt këtë sport të kushtueshëm. Padyshim që janë dështimet e tij spektakolare, veçanërisht në ekonomi, është korrupsioni dhe koncesionet skandaloze që brenda dy viteve e kanë rrënuar imazhin e qeverisë tek qytetarët shqiptarë. Dhe për ta ribërë atë, u dashka të paguajnë prapë shqiptarët. The Economist, apo kushdo media tjetër e botës mund t’i bëjnë reklama qeverive shqiptare, por nuk i ndihmojnë dot të bëjnë punën e tyre. Ajo nuk ka nevojë për reklamë; dështimi jetohet çdo ditë nga ata që qeverisen prej tyre.
















