Socialistët dhe demokratët, janë përplasur në distancë rreth aksioneve të INUK, për prishjen e ndërtimeve pa leje. Për mazhorancën, opozita po mban qendrin destruktiv, ndërsa për demokratët, aksionet janë krejtësisht selektive.
“Sa më shumë thellohet represioni i Edi Ramës ndaj të pamundurve, ndaj ndërtimeve të qytetarëve që ushqehen dhe mbajnë familjen me dyqanet e tyre, aq më shumë zmadhohet pabarazia para ligjit.
INUK-u i Edi Ramës, po u shkatërron pasurinë, mundin e djersën shumë qytetarëve, por kjo nuk i shqetëson aspak Ministrat, deputetët, miqtë e Kryeministrit, të cilët kanë ndërtime pa leje, dhe vazhdojnë të shtojnë katet e pasurisë e tyre në breg të detit”, deklaroi deputeti i PD-së, Aldo Bumçi.
Sipas demokratëve, sot kemi dy Shqipëri, atë të miqve të Edi Ramës, e qeveritarëve që nuk preken, dhe në anën tjetër Shqipërinë e të tjerëve ku arbitrariteti e represioni bën hi cdo gjë që u del para.
“Po i kujtojmë qytetarëve sot se Sarajet e Koco Kokëdhimës 2 metra larg bregut të detit nuk preken.
Shtesa e vëllait të Koco Kokëdhimës në Tiranë që ka zvogëluar trotuarin me 1 metër e gjysëm, nuk preket.
Pallatet shumëkatëshe të klientelës qeveritare në breg të detit në Durrës vazhdojnë të hedhin shtat.
Po janë me dhjetra e me qindra rastet selektive, ku ndërtesa e një qytetari prishet, dhe ngjitur me të, ndërtesa e mikut, nipit, kunatit, kushëririt, të deputetit ose ministrit nuk preket.
Qytetarët nuk do ta lejojnë këtë padrejtësi.
Partia Demokratike i fton ata të kundërshtojnë me cdo mjet pabarazinë para ligjit.
Ne do të jemi krah tyre për ta ndalur të keqen”, u shpreh Bumçi.
PS: Qëndrimi i demokratëve destruktiv, bëhen palë me shkelësit e ligjit
Partia Socialiste akuzoi demokratët se po mbajnë një qëndrim destruktiv në lidhje me operacionin për clirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje. Deputetja socialiste Blerina Gjylameti deklaroi se ky qëndrim është i ngjashëm me atë të PD-së për Lazaratin, apo për ndërprerjen e lidhjeve të jashtëligjshme të energjisë. Sipas Gjylametit, deputetët e PD-së kanë zgjedhur të bëhen palë me shkelësit e ligjit. Deputetja socialiste tha se pjesa më e madhe e ndërtimeve të paligjshme të shembura në Tiranë, lulëzuan gjatë mandatit të demokratëve në krye të Bashkisë. “Luli nxiste zaptimin e hapësirës publike, Saliu i legalizonte”, deklaroi Gjylameti.