Kështu kanë vlerësuar analistët politikë nënshkrimin e një protokolli të tillë në ditën kur gazeta “Zëri” ka botuar dokumente zyrtare, sipas të cilave, përfaqësues të Shqipërisë dhe Serbisë më 15-16 prill 2015 ishin pajtuar për të rritur bashkëpunimin në fushën e krijimit të projekteve rajonale të transportit rrugor dhe hekurudhor si: “Rruga 7” Nish-Prishtinë-Durrës-Beograd dhe Beograd-Bar-Tiranë dhe në linjat e transportit hekurudhor Nish-Doljevac, Rudarë-Prishtinë-Prizren-Morinë-Milot dhe Beograd-Lapovo, Kraljevë, Rudnicë-Prishtinë-Prizren-Morinë-Milot.
Përkatësisht projektet infrastrukturore, që përfshijnë tri shtete: Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë, para një viti janë nënshkruar vetëm nga zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë, Brunilda Paskali, dhe sekretari i shtetit në Ministrinë e Tregtisë së Serbisë, Stevan Nikçeviq, me ç’rast është anashkaluar përfaqësuesi i Qeverisë së Kosovës.






















