Protestuesit kënduan himnin e Brazilit në Dhomën e Ulët të Kongresit dhe gjithashtu i bënë thirrje gjeneralëve të ushtrisë që të vepronin.
Policia braziliane ndërhyri për të zgjidhur situatën, megjithëse ju deshën mbi 3 orë për të ndaluar dhe arrestuar të gjithë grupin e protestuesve që kërkonin një qeveri ushtarake. Mes thirrjeve të tyre ishte edhe ndalimi i valës së privatizimeve të ndërmarra nga presidenti Michel Temer.
Ky i fundit shfrytëzoi situatën duke thënë se akti i protestuesve ishte shkelje e normave demokratike, ndërsa theksoi se mbi të gjitha ishte një paralajmërim se vendi po kthehet në kohën e ekstremeve.
Besimi publik tek institucionet braziliane ka rënë ndjeshëm pas skandaleve masive korruptive dhe paditjes së presidentes Dilma Rusef.
Protestat në Brazil janë shndërruar prej muajsh në ngjarje të zakonshme, por ishte hera e parë që protestuesit, megjithëse të paktë në numër, kërkonin rikthimin e sundimit të ushtrisë në mënyrë kaq demonstrative.
Analistët thonë se kjo flet shumë për zemërimin që të paktën një pjesë e publikut ka me qeverinë aktuale saqë është i gatshëm t’i rikthehet të shkuarës.






















