Dhjetëra qytetarë dhe Shoqëria Civile kanë protestuar këtë pasdite për rreth një orë para Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve.
As shiu nuk i ka ndaluar qytetarët që të kërkojnë të drejtat e tyre në lidhje me abuzimin e ndodhur ditët e fundit, me rritjen e çmimeve të produkteve jetësore për çdo familje.
Disa prej tyre janë shprehur se rrogat janë të ulëta, kurse çmimet vetëm rriten, duke sjellë probleme me përballimin e jetesës.
“Për shkak të rritjes së çmimeve, çdo muaj djali im s’do të ketë një libër të ri, ato lekë do të shkojnë për miell. për oriz për qumësht, çdo muaj, do mungojë kujdesi shëndetësor, ulni taksat”, tha një qytetar.
Është e paqartë nëse do të ketë protestë nesër apo të hënën, pasi në megafon u dhanë informacione të ndryshme. Një qytetar tha se protesta e radhës do të jetë të hënën e ardhshme për shkak të shiut, ndërsa aktivisti Ervin Goci u shpreh se do të vijojë në mënyrë intensive.




















