Raste studimi konkrete janë marrë zona e Bulqizës dhe Kukësit, por verifikimi etnografik dhe analiza shtrihet shumë më gjerë se kaq. Metoda shpreh një ndërthurje në mes etnografisë dhe sociologjisë. Nën Shenjën e Modernitetit, përvijon një truall teorik antropologjik i prekur prej shumëkujt, por pak i analizuar
Nga Nebi Bardhoshi
Libri ‘Nën Shenjën e Modernitetit: Antropologji e proceseve proletarizuese gjatë socializmit shtetëror’ me autor Dr. Olsi Lelaj, studiues pranë Departamentit të Etnologjisë, IAKSA, Tiranë, ndërton argumentin teorik mbi mënyrën shtetërore të prodhimit të proletariatit në Shqipëri, gjatë periudhës 1944-1990. Ky libër u botua së fundmi nga shtëpia botuese, Pika Pa Sipërfaqe, Tiranë. Lelaj mund ta kishte quajtur librin edhe Nën thundrën e Shtetit, apo Nën Tiraninë shtetërore, por ka preferuar “shenjën”, e cila mbart barrën e vet kryesore që moderniteti ka në çdo trajtë të tij, që të përshënjojë njerëzoren.
Vëmendja është përqendruar te proletarizimi i fshatarësisë në Shqipëri. Raste studimi konkrete janë marrë zona e Bulqizës dhe Kukësit, por verifikimi etnografik dhe analiza shtrihet shumë më gjerë se kaq. Metoda shpreh një ndërthurje në mes etnografisë dhe sociologjisë. Koha e hulumtimit është e shkuara komuniste, e cila nuk është krejt e shkuar, përsa kohë ajo ka përshenjuar trupin dhe mendjen e shumicës së shoqërisë që jeton në ‘post-socializëm’. Në këtë mëyrë, libri Nën Shenjën e Modernitetit, përvijon një truall teorik antropologjik i prekur prej shumëkujt, por pak i analizuar me qëllim të kuptuarit e teknikave shtetërore të prodhimit një Njeriu të ri, të një Kulture të Re, e ku proletarizmi është procesi dhe instrumenti kryesor. Jo pak antropologë e, në tërësi studiues të ndryshëm, që merren me qëmtimin e Shqipërisë post-socialiste, nuk hezitojnë të rrokin si aksiomatike pikëpamjen se socializmi ishte i tillë vetëm për nga ana formale, ndërsa thellë-thellë ai ishte një version i nacionalizmit. Kjo tezë është kundërshtuar nga ata që komunizmin në shqipëri e konsideronin si antikombëtar, pra dhe jo nacionalist. Unë mendoj se, edhe pse autori Lelaj se ka qëllim t’i mëshojë fort këtij debati, vetë teza që artikulon në Nën Shenjën e Modernitetit, hedh dritë se si ‘socializmi shtetëror’, në Shqipëri, shpreh një ndër rastet tipike ku shteti klasifikon shoqërinë si një shoqëri pré. Kjo shoqëri bëhet e ribëhet nga shteti, dhe ideologjia shtetërore, ajo e socializmit në trajtën e stalinizmit nuk është dytësore përkundrejt ideologjisë nacionaliste. S’do fort mend të thuhet se kjo dinamikë ndryshon kohë pas kohe, por asnjëherë nuk kemi triumf të njërës e kapitullim të tjetrës.
Pse ka vlerë të shqyrtohet e rishqyrtohet periudha komuniste në Shqipëri? Çdo periudhë kohore do të ishte interesante për të parë rolin e shtetit në raportin me kulturën dhe njerëzoren në tërësi, por periudha komuniste, do të ngelet një ndër “trojet” sociologjike më interesante për t’u lëvruar. Komunizmi në Shqipëri, jo vetëm se ka përvijuar jetën njerëzore në kohën e tij, por ende ngelet njëri prej kryeshenjuesve të veprimtarisë dhe identiteteve të kohës së sotme. Prandaj analiza antropologjike e realizuar në librin Nën Shenjën e Modernitetit, mbart rëndësi sa për kohën kur “komunizmi vepronte si sistem’ aq sa për rëndësinë që mbart sot e kësaj dite si përsa kujtohet e si përjetohet. Shteti gjatë komunizmit, shpallet e shfaqet njerëherazi si ‘agjencia’ kryesore e krijimit të sistemeve të matjes së njerëzores, ndërsa njësia matëse shfaqet kultura. Shteti merr përsipër, gati në çdo trajtë të modernitetit, ta bëjë ‘njeriun njeri’ e shoqërinë shoqëri, këtë duke krijuar institucionet e qëmtimit të sociales dhe njerëzores. Herë me ‘histori të pjesëzuara njerëzore’ e herë herë ‘me histori totale njerëzore, apo ‘histori totale shtetërore’. Dr. Lelaj, përzgjedh me kujdes objektin, shenjën kryesore, atë të proletarizimit të shoqërisë prej shtetit. Si vëren autori, temë kjo e menjanuar prej antropologjëve të socializmit.
Sado t’i përvidhemi asaj kohe, komunizmi përfaqëson një mastar që dikush në jetën private dhe publike mund të matet për mirë e për keq, të matë e shpalos njerëzoren në të tashmen. Për më tepër, rëndësia e të hulumtuarit me një analitikë antropologjike shtohet, kur kemi parasysh rendjen e shfrenuar të të mirëfilltave dhe merituese nën emërtesën disiplina shkencore. Pa mohuar asnjë grimë, libra e botime me qëllime njohjen e çashtërt, po pa ndroje mund të themi se botimet në shqip, vendase dhe të huaja po të doni, dominohen nga një garë për të bërë vend në historinë e së tashmes. Ndër më të nguturit janë ato qasje që kanë për qëllim përdorimin e komunizmit si mastar të së sotmes. Të ngërthyer te miti i “vlerës së dokumentit” harrojnë apo skajojnë qëllimisht njerëzoren. Të parit e njerëzores si krejt të manipulueshme, dhe këtë manipulim si të paverifikueshëm prej studiuesit, shtyn drejt mitizimit të dokumentit shtetëror si burim të vetëm shkencor dhe çkualifikimin e kujtesës. Libri Nën Shenjën e modernitetit i merr në konsideratë të dy burimet e të dhënave, e jo vetëm. Merr në shqyrtesë ditarin, literaturën e kohës, median, dhe procedon pa pasur qëllim t’i mbushë mendjen dikujt se ajo çfarë thuhet është krejt e kryekëput e vërteta. Studiuesi Lelaj është koshient teorik, prandaj merr me kujdes në shqyrtim kritik gjithë çdo të thënë empirike, qoftë atë që vjen prej gjinisë së dokumentacionit, qoftë atë të kujtesës kolektive apo personale.
Një vëmendje e posaçme, dhe që më duket se krijon dhe kushtet për shtigje të tjera hulumtimi, është vëmendja kushtuar rolit të kurrikulave shkollore në procesin e kolektivizimit, e kësisoj dhe proletarizimit. Në këtë mënyrë, ndërtohet një kritikë ndaj punimeve antropologjike të socializmit dhe post-socializmit për moskushtim aq sa duhet të vëmendjes ndaj atij procesi që autori e quan ‘proletarizim konceptual’. Marrja në analizë e shtetit si krijues i klasës punëtore, i mundëson autorit gjithëshatu në ndërtimin e kritikës ndaj teorive antropologjike e sociologjike, që nuk e kanë marrë shtetin si krijues të proceseve proletarizuese, por e kanë parë vetë shtetin dhe proletarizimin rrjedhojë të raporteve ekonomike. Zhvendosja e vëmendjes nëpërmjet rastit të komunizmit shqiptar mundëson autorin të ftojë studiuesit e socializmit dhe në përgjithësi të modernitetit të konsiderojnë si një trajektore me përmasa ‘globale’ ku shteti ka luajtur rol qendror në këto procese proletarizuese. Në funksion të analizës kritike, krahasohen shoqëritë afrikane, aziatike, amerikano-latine etj, krahasime që rrisin mundësinë e hulumtimit, por dhe mundësojnë shquarjen e të përbashkëtave dhe përveçësive të këtyre proceseve. Roli i monetarizimit në proceset proletarizuese, mënyrës se si shteti prodhon punëtore me pagë, roli i sistemit të taksimit, lejimi ose jo i ekonomisë dytësore në ekonomitë e centralizuara, janë marrë në shqyrtim nga Dr. Lelaj, si nyje themelore të rrjetës së mënyrave aplikimit të ‘socializmit shtetëror’, e kësodore, të artikulimit të shtetërores në jetën e përditshme.
Një temë me shumë interes që lexuesi mund të gjejë në këtë tekst, janë format e rezistencës individuale dhe kolektive kundër procesit të kolektivizmit, apo gjatë periudhave të ndryshme. Ndër to shënojmë ‘vjedhjen apo sabotazhin’, ‘rezistencën me lotë’, ‘mospranimin hapur të futjes në kooperativa bujqësore’, ‘përdorimin e sistemit, dhe të retorikës shtetërore si një ombrellë për ta shtyrë apo evituar kooperativizmin etj.
Në antropologjinë e socializmt dhe post-socializmit ka pasur dhe ka plot debate teorike për mënyrën se si antropologjia dhe shkencat humane në tërësi duhet t’i rreken analizës së kulturës dhe shoqërisë përgjatë komunizmit dhe pas rënies së tij. Ndër to do të veçoja tensionin në mes theksimit të unikaliteti i sejcilit socializëm dhe në anën tjetër krijimi i një uniformizmi të të gjithë socializmave në Europën Lindore. Libri Nën shenjën e modernitetit e sjell në mënyrë të përmbledhur këtë debat, e shtrin atë dhe në mënyrën se si është artikuluar mbi objektin e antropologjisë social-kulturore. Pastaj merr në shqyrtim traditën e kërkimit etnologjik në Shqipëri, dhe specifikisht ndalet te etnologjia shqiptare qoftë si shkencë që është marrë me studimin e socializmit, por dhe duke e parë atë, pra etnologjinë si një ‘fakt etnografik’ në vetëvehte. Duke vepruar kështu Dr. Lelaj përfshin kulturën e shkrimit si objekt të shqyrtimit antropologjik, e madje shkon më tej, duke përfshirë vetë etnologjinë si të tillë. E gjithë këtë e shikon lidhur ngushtë, apo si formë të prodhimit shtetëror të dijes apo dijeve humane në kushtin diktatorial. Metoda etnografike, apo vetë metoda ‘participant obervation’ bëhen objekt shqyrtimi nga autori.
Libri Nën Shenjën e Modernitetit, nuk është një përmbyllje argumentesh, ai përbën një argument me vehte dhe një kritikë për shumë studime mbi socializmin, dhe njëherazi përbën një projekt afatgjatë të kërkimeve antropologjike mbi modernitetin e modernitetet në Shqipëri dhe me gjerë.Nën Shenjën e Modernitetit, është kontribut në antropologjinë kritike dhe mbi antropologjinë mbi socializimin e, njëherazi është një antropologji për modernitetin, shtetin dhe pushtetin. Kontribuon për të hulumtuar më nga afër trashëgiminë politike të komunizmit në post-komunizëm. Kontribuon mbi debatin teorik rreth mundësisë së ushtrimit të antropologjisë brenda dhe jashtë shoqërisë prej nga vjen studiuesi. Kontribuon për ta pozicionuar më tej kërkimin antropologjik në Shqipëri përkundrejt displinave si historia apo sociologjia apo shkencat politike, apo në tërësi rreth asaj që kam quajtur ‘antropologji albanologjike’.


















