Ish guvernatori, Ardian Fullani u pyet sot për herë të parë nga Prokuroria për vjedhjen në Thesarin e Bankës së Shqipërisë, për të cilën edhe u arrestua me akuzën e shpërdorimit të detyrës, e pas vendimit të Apelit u la i lirë, vetëm me masë sigurie ‘detyrim paraqitje’.
Fullani ka mbërritur paraditen e sotme në Prokurorinë e Tiranës ku është marrë në pyetje nga prokurori i çështjes, Ramadan Troci. Fullani ka qenë i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës, Maks Haxhia dhe ka hyre në prokurori rreth orës 10:10 minuta.
Pas 2 ore pyetje nga Troci, kur doli jashte institucionit te prokurorise, Ardian Fullani, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë u shpreh për mediat se është i pafajshëm.
“U pyeta për vjedhjen në Bankën e Shqipërisë. Personalisht u shpreha që jam i pafajshëm”, tha Fullani.
Sipas procedurës, sot Fullanit do t’i kërkohet të japë deklarime nëse ka dhe i njoftohet nisja e dosjes për gjyq.
Të hënën që shkoi Fullani bëri paraqitjen e parë në prokurori, në zbatim të vendimit të Gjykatës, që e detyron atë të paraqitet të hënën e parë të çdo muaji, gjatë kohës që vijon procesi hetimor për vjedhjen e thesarit të Bankës së Shqipërisë. Fullani deklaroi për mediat se do t’i përgjigjet prokurorisë për të gjitha akuzat, por atë ditë u njoh vetëm me procedurat, pa dhënë asnjë dëshmi.
















