Një ditë pasi Prokuroria e Përgjithshme njoftoi nisjen e hetimeve për akuzat e Tom Doshit, Prokuroria për Krimet e Rënda i ka bërë kërkesë zyrtare deputetit që të dorëzojë provat dhe faktet që ai disponon për të vërtetuar pretendimet se Kryetari i Kuvendit Ilir Meta kishte paguar për ta vrarë.
Tom Doshi ka bërë të ditur se mes provave është një video –regjistrim i personit që ishte kontaktuar për ta kryer vrasjen. Bëhet fjalë për një dëshmi të Durim Bamit, 36 –vjeçarit nga Fushë –Kruja të arrestuar dy ditë më parë nga policia kur po tentonte të largohej nga Shqipëria drejt Malit të Zi.
Në këtë video, 37 minuta të gjatë, mendohet se Bami ka dhënë detaje mbi planin e organizuar për vrasjen e Doshit dhe të deputetit Mhill Fufi. Në rrëfimin e gjatë ai ka pranuar se do të paguhej 600 mijë euro për të kryer porosinë. Ka dhënë gjithashtu edhe detaje dhe emra të përsonave të tjerë që e kanë kontaktuar. Sipas deputetit Doshi ai ka përmendur edhe emrin e Ilir Metës. Deputeti i Shkodrës ka bërë të ditur se ai ka edhe prova të tjera që e vërtetojnë këtë version dhe u shpreh i hapur dy ditë më parë që t’ua paraqesë ato ambasadave të huaja. Doshi do të thirret gjithashtu për të dëshmuar në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Nuk dihet nëse ai do ta dorëzojë videon, apo do ta publikojë në media.















