Qëndrim R., i rritur në Zvicër, është përkrahës i «Shtetit Islamik». Duke u kthyer nga Siria ai ka vrarë në Turqi dy policë dhe një civil. Ai kishte emigruar me familjen e tij në Zvicër në moshën 7-vjeçare. Ishte dënuar në zonën ku jetonte në Aargau disa herë për vepra të ndryshme të rënda.
Siç shkruan gazeta zvicerane «20 minuten» në procesin gjyqësor kundër Qëndrim R., i cili po zhvillohet në qytetin turk Nigde, prokurori ka kërkuar të martën një dënim drakonik me burg. Ai i ka bërë apel kolegjin gjyqësor që kosovari i rritur në kantonin Aargau të dënohet 4 herë me burg të përjetshëm. Kjo i bie: 285 vjet burg! Gazeta zvicerane i referohet të përditshmes turke «Hürriyet».
Qëndrim R., emrin e të cilit mediumet e shkruajnë gabim «Cendrim» ose «Çendrim», është përkrahës i «Shtetit Islamik». Ai në mars të vitit 2014 bashkë me xhihadistë të tjerë kishte kryer një atentat në Turqi, me ç’rast ishin vrarë dy policë dhe një civil. Qëndrim R. me gjasë po kthehej nga Siria në Kosovë apo në ndonjë vend tjetër.
Për shokët e Qëndrim R. shkruan Dialogplus, prokurori ka kërkuar 280 respektivisht 258 vjet burg. Gjatë procesit Qëndrim R. ka heshtur. Aktakuza prej 58 faqesh nënvizonte se Qëndrim R. kishte kaluar së paku 9 muaj në kampet e ISIS-it në Siri. Ai ishte arrestuar në Turqi pas atentatit. Qëndrim R. kishte emigruar me familjen e tij në Zvicër në moshën 7-vjeçare. Ai ishte dënuar në zonën ku jetonte në Aargau disa herë për vepra të ndryshme të rënda. Nga rrethi i tij mësohet se ai kishte radikalizuar në burg dhe pas dënimit nga Zvicra në Gjilan, ai kishte rënë në kontakt me persona që rekrutonin luftëtarë për Siri. Qëndrim R. ishte përzënë nga Zvicra në fillim të vitit 2013, me arsyen e një terapie të pasuksesshme.















