“Shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me trajtimin e Profesor Arben Hajrullahut nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës (UP). Përmes mediave jemi njoftuar se Profesor Hajrullahu po pengohet të rizgjidhet profesor i rregullt ngase ndaj tij po aplikohet zbatim i dyshimtë dhe jo i njëtrajtshëm i procedurave. Ne kërkojmë nga Universiteti i Prishtinës dhe institucionet tjera përgjegjëse që të parandalojnë mundësinë e keqpërdorimit të konkursit publik në rastin e Profesor Hajrullahut, si dhe të të gjitha rasteve tjera të tilla në Universitetin e Prishtinës”, thuhet në letrën që i është drejtuar rektorit Marjan Dema, si dhe i është përcjell edhe ministrit të arsimit Arsim Bajrami.
Doktorantë dhe staf akademik në universitetet evropiane nga Kosova kanë theksuar se rastet e tilla janë zhgënjyese për studiuesit e ndershëm dhe nuk e ndihmojnë ‘kthimin e trurit’ në Kosovë.
“Pengimi i rizgjedhjes së Profesor Hajrullahut duket të jetë i ndërlidhur me aktivitetin e tij në shërbim të ngritjes së llogaridhënies, përmirësimit të cilësisë në mësimdhënie, dhe parandalimit të shkeljeve të normave akademike në UP. Profesor Hajrullahu është ndër të rrallët që ka kritikuar dhe denoncuar publikisht parregullsi dhe keqpërdorime në institucionin ku punon”, thuhet më tej në këtë letër të cilën e posedon Zëri, e të cilën e kanë nënshkruar staf akademik që jep mësim në universitetet me renome botërore.
























