Princi britanik, Charles dhe gruaja e tij Camilla do të nisin sot (e hënë) turneun e tyre gjashtë ditor në shtetet e Ballkanit, përfshirë Kroacinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën.
Në Kroaci, sot planifikohet pritja zyrtare e trashëgimtarit të fronit britanik nga presidentja e vendit, Kolinda Grabar-Kitaroviq.
Çifti mbretëror pastaj planifikon që ta vizitojë pjesën historike të qytetit, për të parë nga afër restaurimet e ndërtesave, të dëmtuara gjatë luftës së Kroacisë për pavarësi nga ish-Jugosllavia, të viteve 1991-1995.
Të martën, më 15 mars, princi Charles dhe Camilla pritet ta vizitojnë qytetin Osijek, në lindje të Kroacisë.
Çifti mbretëror planifikon ta vizitojë Beogradin të mërkurën e të enjten, më 16 dhe 17 mars, ndërsa të premten, më 18 mars do ta vizitojë Malin e Zi.
Princi Charles dhe bashkëshortja e tij Camilla do ta përfundojnë turneun e tyre ballkanik me vizitën në Kosovë, më 19 mars.
Ky është turneu i tetë i Princit Charles në Ballkan, ndërsa për Camillen, kjo është vizita e saj e parë në këto shtete të Ballkanit.
Çifti mbretëror e kishtin vizituar bashkë Bosnjë e Hercegovinën, në mars të vitit 2007. (r.m.)
















