Ish- ministri dhe ish- deputeti i LSI, Dritan Prifti, foli për mediat pas dëshmisë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për çështjen Doshi.
Prifti deklaroi se ka dijeni për komplotin për vrasjen e Tom Doshit dhe Mhill Fufit.
Prifti tha se ai nuk gënjen si Mark Frroku, pasi ky komplot është i vërtetë dhe falë dëshmisë së Priftit, do të zbardhet.
“Qeveritarët tanë jo vetëm vjedhin, por tani kanë marrë përsipër të asgjësojnë deputetë.
Ilir Meta është përpjekur shumë të më përfshijë mua në këtë histori, edhe pse unë jam informuar për këtë në muajin tetor.
Është përpjekur të përmendë aktivitetin tim në fushën private.
Janë të gjithë manovra për të drejtuar vëmendjen e medias larg të fshehtës së frikshme, që ky person ka porositur vrasjen e dy deputetëve.
Unë kam dy vjet që nuk jam aktiv në politikë, por po vjen koha që të kthehem sërish në politikë, sepse në këtë vend po ndodhin gjëra të çuditshme.
Ka pasur një komplot ndaj zotit Doshit, një skenar të mirëmenduar për të vrarë deputetin Doshi.
Unë kam dijeni që ky është një grup shumë serioz prokurorësh dhe kam bindjen që kjo tentativë për vrasjen do të zbardhet.
Unë po ju them që unë nuk jam Mark Frroku dhe kam deklaruar këtu plotësisht të vërtetën.
Nuk më tremb asnjë lloj presioni, kërcënimi apo denoncimi që bën Ilir Meta dhe njerëzit pranë tij.
Nëse Mark Frroku ka halle të tjera dhe për shkak të këtyre halleve nuk dëshiron të tregojë të vërtetën, unë kam deklaruar njohuritë e mia për takimet e Doshit, Mark Frrokut dhe Durim Bamit.
Me informacionin që kam unë, kjo çështje do zbardhet,” tha Meta.
I pyetur se pse do e vriste Doshin Meta, ai tha: “Arsyeja është një urrejtje që ka pasur Ilir Meta ndaj meje dhe Tom Doshit për publikimin e videos së korrupsionit”.
“Nuk kam asnjë video për Shkëlzen Berishën. Këto janë taktika që po përdor Meta për të shtrembëruar drejtësinë. Këto nuk çojnë në zbulimin e të vërtetës, që i kuptojnë edhe pulat e mia në Koplik,” theksoi Prifti.
















