Ministri grek i Financave, Janis Varufakis, ka ndaluar në Romë të martën, në stacionin e tretë të turit europian pas vizitave në Paris dhe Londër të dielën dhe të hënën. Varufakis është pritur në kryeqytetin italian nga homologu Pier Karlo Padoan.
Me kalimin e ditëve frika nga refuzimi i Greqisë për të mos paguar borxhin është ulur, pasi Qeveria e Syriza-s ka deklaruar se ka ndërmend një plan të qartë për të bashkëpunuar me Europën, të cilin po ia prezanton kancelarive europiane.
Pasdite, Kryeministrat e dy vendeve, Aleksis Tsipras dhe Mateo Renci, gjithashtu do të takohen pasi Athina po kërkon mbështetjen e Europës në planin e saj anti-krizë.
Të mërkurën, Varufakis do të takohet me Presidentin e Komisionit Europian, Zhan Klod Junker, si dhe Presidentin e Bankës Qendrore Europiane, Mario Dragi, ndërsa të enjten e pret takimi me Ministrin gjerman të Financave, Volfgang Shwjble.
Arritja e një marrëveshjeje duket e mundur, të paktën kështu deklaron një prej zyrtarëve të lartë të Bankës Qendrore të Anglisë. Donald Kohn tha për mediat greke se pret që palët të gjejnë fjalën e përbashkët.
“Nga fjalët që kemi dëgjuar në ditët e fundit kuptohet se është përparuar disi në këtë drejtim”, citohet Kohn.
Ende nuk ka një datë për ndonjë takim të mundshëm të Tsipras me Angela Merkel, e cila konsiderohet si kundërshtarja më e fortë për t’u bindur nga grekët që plani i tyre pa Trojkën do të funksionojë.
Vetë Kancelarja gjermane tha se Qeveria greke është ende në punë e sipër për një plan të ri dhe nuk pranoi të komentonte mbi zbutjen e qendrimit të Syriza-s pas fitimit të zgjedhjeve.
“Po presim propozime dhe më pas do të hyjmë në bisedime. Nuk dua të komentoj lajmet e tjera që qarkullojnë”.
Një prej propozimeve të Greqisë është pa dyshim shpërbërja e Trojkës, vendim ky që nuk shihet me pozitivitet nga Berlini.
Megjithatë, në këtë drejtim, Greqia ka mbështetjen e Parisit, kancelarisë së dytë më të rëndësishmë brenda BE-së.















