Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç pohon se këtë vit Serbia do të përballet me një ultimatum për çështjen e Kosovës. “Do të na japin garanci për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nëse e njohim Kosovën”, deklaroi Vuçiç, në një intervistë për televizionin serb Prva. Vuçiç pohon, se tani e di se kush do të jetë ndërmjetësues i BE në dialogun me Kosovën, por ende nuk mund ta thotë emrin e tij.
“Do të na propozojnë një zgjidhje – Plani i Ahtisarit plus. Do të na ofrojnë edhe një status të posaçëm për serbët e Kosovës në disa fusha. E pastaj, çfarë do të bëjmë ne?”, pyeti Vuçiç dhe vet u përgjigj: “Do ta pyesim popullin në referendum se çfarë mendon”.
Sipas Vuçiç, ai e ka hedhur këtë ide 3 vite më parë, por nuk u pranua atë kohë nga serbët. Ndërkohë në vitin 2018, mes Presidentit të Serbisë dhe atij të Kosovës është diskutuar ideja për korrigjimin e kufijve.
Richard Grenell, i dërguari special i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, deri tani ka arritur dy marrëveshje në më pak se një muaj, që kanëtë bëjnë me linjën ajrore dhe hekurudhore mes dy vendeve.
Këto marrëveshje, ndryshe nga e kaluara, janë nënshkruar pa prezencën e Bashkimit Evropian, që pritet të emërojë një të dërguar special për këto bisedime.