Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, u vlerësua nga presidenti i Francës, François Hollande, me titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”, që iu akordua pak muaj më parë.
Ceremonia u organizua pasditen e sotme rreth orës 18:00 në pallatin Presidencial “Elize”, në prani të një rrethi të ngushtë të ftuarish. Pas dorëzimit të çmimit kreu i qeverisë franceze mblodhi në një koktej të ftuarit nga Shqipëria dhe Franca.
Në fjalinë e tij përshëndetëse Hollande e konsideroi Kadarenë një “autor të mrekullueshëm të historisë së Ballkanit dhe një avokat të pasionuar të Evropës”.
“Ju jeni njëherazi shqiptar dhe francez, evropian në zemër dhe universal në shpirt”, theksoi shefi i Elizesë, duke iu referuar shkrimtarit shqiptar.
Urdhri është krijuar nga Napoleon Bonaparti në vitin 1802 dhe është i ndarë në pesë shkallë të ndryshme, kalorës, oficer, komandant, oficer i madh dhe Kryq i Madh
Në këtë ceremoni të organizuar në nder të shkrimtarit mori pjesë edhe kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili më herët pati dhe një takim me presidentin francez.















