Fëmijët e një nëne inxhiniere elektronike dhe një babai mjek, kanë arritur të bëjnë krenarë jo vetëm familjarët e të afërmit e tyre por edhe vendin e origjinës, Shqipërinë.
Të vlerësuar nga dy Presidentë në kohë të ndryshme Iris dhe Mateo edhe pse pa shumë bujë janë dëshmia e një historie suksesi jo vetëm personale por edhe e prindërve që sakrifikuan profesionet për të arritur ëndrrën amerikane për vete e fëmijët e tyre.
Irisi 13 vjeçe dhe Mateo 11 shkëlqejnë në çdo lëndë. Ende nuk e kanë vendosur se ku do të fokusohen dhe cila do të jetë rruga që do të ndjekin në të ardhmen, por një gjë është e sigurt: ata mund t’ia dalin.
Vëlla e motër nuk i kanë shkëputur lidhjet me Shqipërinë. Ardhja në vendin e origjinës është gjithnjë një gëzim i madh. Pushimet e padiskutuara të verës në Shqipëri, janë një rast i mirë të cilin ata e shfrytëzojnë gjithmonë për të njohur vendin nga veriu në jug, për këtë kujdesen pafund gjyshërit.
Kjo histori pa dyshim që përsëritet edhe në shumë familje të tjera shqiptare që fatkeqësisht kanë emigruar jashtë vendit për mundësitë që ofrojnë shtetet e tjera. Ne urojmë që një ditë edhe vendi ynë do të ofrojë mundësi të ngjashme dhe pse jo forma të tilla inkurajimi për të gjithë fëmijët e ekselencës që të vlerësohen me certifikatë mirënjohje nga Presidenti i Republikës. Urojmë që truri të mos i largohet vendit tonë, por të inkurajohet për të kontribuar në Shqipëri.






















