Largimi i deputetit Vladimir Kosta nga grupi parlamentar i PS dhe akuzat e tij të forta për kryetarin Rama si njeri që mbron kriminelët dhe të korruptuarit (lexo shkrimin poshte/lapsi.al), kanë ngjallur reagime tejet të forta në radhët e shumicës në pushtet. Ato Janë gjithëfarë llojshe dhe kanë në bazë denigrimin e deputetit të larguar.
Kështu gazeta Dita i kushtoi sot faqen e saj të parë “Largimit të Ladit”. Po të lexosh me kujdes shkrimin e kësaj gazete vë re se meraku i saj kryesor është denigrimi i deputetit rebel. Gazeta i kujton atij të shkuarën si shofer dhe diplomën e vetme që ka në jetë, patentën e makinës.
“Të gjitha ankesat e tij në “letrën e hapur” duket se janë një mbajtje shënim e rezervave të vjetra ndaj Ramës, sepse nuk vihet re asnjë incident i kohëve të fundit që do t’i kishte vënë vulën vendimit të largimit. Se përse biznesmeni i ndërtimeve që deri në vitin 1990 kishte si arsim maksimal kursin e shoferit, zgjodhi pikërisht këtë periudhë për të shpallur “divorcin”, do të zbardhet së shpejti” shkruante Dita.
Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe drejtori i OSSHE, Ardian Cela, i cili në vend që të fliste si teknik bën politikë dhe përmend reformën në drejtësi. Sipas tij Kosta sillet kështu pasi ai nuk ka marrë tendera nga OSSHE.
Vala e denigrimeve vazhdon. Në një shkrim në Tema Blendi Mane e quann Kostën si të rekrutuar nga Kokëdhima, për ti hequr PS, votat që i duhen për refomën në drejtësi. Sipas tij Koco i ka “perlare Partise Socialiste dy vota nga grupi parlamentar e pavaresisht nivelit ordiner perfaqesues, po ua kendon kengen e fundit te mjelmes. Deputetja e Vlores Mira Shehu dhe i Permetit Vladimir Kosta tashme jane ne bordin e Titanikut te Kocos ».
Prapë gazeta Dita që kishte paralajmëruar se arsyet e largimit të Kostës do të merren vesh shpejt ka nxituar të japë një version më të avancuar sesa ai i Blendi Manes. Sipas saj Kostën e ka blerë vetë Berisha : « Lexuesit e mbajnë mend se refreni i ditëve të fundit i Berishës dhe PD-së, është se mazhoranca po blen vota për të kaluar reformën në drejtësi. Aq shumë i “zemëruar” u shfaq Basha, sa kërcënoi të vetët se do diqte të gjitha mandatet e opozitës, çfarëdo që të nënkuptojë kjo. Por po ashtu nuk është sekret se Berisha akuzon kundërshtarët më fort për diçka, pikërisht atëherë kur është duke e bërë vetë atë akt. Dhe rasti aktual ngjan të jetë i tillë. Padyshim, duhet të presim datën 21 për ta kuptuar skemën deri në fund » shkruan Dita.
Askush nga këta sulmues të deputetit plangprishës nuk bën pyetjet më të thjeshta : A ka urdhëruar Edi Rama për financime okulte të mediave lokale që i duheshin për fushatë ? A është ai që mbron kryebashkiakët me njollë si Tërmeti dhe Elvisi, ashtu sic e akuzon Lad Kosta ? A është ai krejtësisht moskokcarës ndaj premtimeve që i janë bërë elektoratit për të fituar vota për PS ?
Të drejtë në shqetësimet e tij deputetit rebel i ka dhënë vetëm Artur Zheji. Ai nuk mendon si kolegu i tij Blendi Mane se Kosta është blerë. Në të kundërt ai thotë se deputeti i Jugut ka të drejtë dhe ata që flasin sot shpifin për llogari të kryeministrit.“Kur polemizon me kryeministrin, të turren edhe mizat e stë lënë rehat. Miza dhe grenxa të porositura.
Por edhe mjaft të tjerë të shohin disi shtrembër. Por ka edhe të tjerë akoma të sojit të mizave të kalit, që kërkojnë të gërmojnë.
Si e bëri këtë?
Përse, ku i ka ngelur hatri?
Qysh është kurdisur dhe nga kush?!
Kështu bubrojnë mizat e kalit dhe grenxat e bajgave.
Mirëpo sot deputeti Vladimir Kosta, (nuk kam pirë asnjë kafe me të), shpërthen dhe vë nën një akuzë të ndershme, një tufë idiotësh dhe shushunjash, që kanë fituar hiret e “kryeministrit”, dhe ngrefen si gjeli në pleh, apo si pulat mbi degë të thanësl!
Duke bërtitur me sa zë kanë në kokë: Se po bëjmë shtet!
Në ketë panoramë reagimesh me sa duket Zheji ka më shumë të drejtë. Eshtë vështirë të besosh se Lad Kosta vendosi të shitet sot, tek Kokëdhima apo tek Berisha.
Pakënaqësitë e tij me PS janë të mëdha. Sidomos ato me Ramën. Ai i ka shprehur edhe më parë ato, atëhere kur as nuk planifikohej të fillonte reforma në drejtësi.
Natyrisht në letrën e tij të hapur ka shumë elemente me të cilat mund të qeshësh. Ka shumë detaje personale dhe hatërmbetje që duken tejet të papranueshme për një politikan. Por akuzat kryesore që e bëjnë Kostën të largohet janë të ngjashme me ato që tashmë Ramës i bëhen nga një pjesë e mirë e opinionit publik.























