A. A, njëri nga nëntë të akuzuarit për përgatitje të sulmeve terroriste pranoi fajësinë.
A. A. në këtë proces gjyqësor akuzohet për përgatitje të sulmeve terroriste në Kosovë, ndërsa prokurorja Merita Bina- Rugova miratoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari.
Tetë të akuzuarit tjerë të këtij gjykimi u deklaruan të pafajshëm, pas leximit të aktakuzës.
Grupi prej nëntë të akuzuarve ngarkohet nga Prokuroria Speciale se nën udhëzimet e pjesëtarit të ISIS-it Lavdrim Muhaxheri përgatitën sulm terrorist ndaj lojtarëve dhe tifozëve të Izraelit që erdhën në Shqipëri për ta zhvilluar një ndeshje futbollistike më 12 nëntor të vitit të kaluar.
Prokuroria pretendon se komunimi ishte kryer duke përdorur një aplikacion të internetit i cili supozohet se ishte i padëgjueshëm.
A.A. dhe L.G., e kanë shfrytëzuar të njëjtin aplikacion për të komunikuar me Lavdrim Muhaxherin me qëllim që gjatë tetorit të kryenin sulme terroriste brenda Kosovës.
Seanca e sotme fillestare e këtij gjykimi u zhvillua nën masa të shtuara sigurie.






















