Maturantët që nuk janë shpallur fitues në asnjë prej preferencave të Formularit A2 si dhe maturantët të cilët kanë kaluar me sukses provimet e maturës në sesionin e vjeshtës, do të kenë mundësi që të futen në garën për 2560 kuotat e mbetura bosh në rreth 270 programe studimi në universitetet publike.
Bashkëngjitur maturantët kanë pikët e fituesit të fundit në të gjitha programet e studimit, në mënyrë që të verifikojnë shanset që ata kanë me degët që kanë zgjedhur në Formularin A2, dhe si të plotësojnë Formularin A3 duke ditur pikët minimale për çdo program. Kandidatët që mund të jenë 30-50 pikë larg nga preferencat që kanë zgjedhur mund të kenë shanse që të fitojnë, por ata që preferencat e listuara në A2 i kanë me më shumë se 100 pikë diferencë, do jetë e vështirë të fitojnë.
KUOTAT BOSH & FORMULARI A3
Autoritetet e arsimit kanë hapur fazën për plotësimin e Formularit A3, i cili iu mundëson kandidatëve të hyjnë në garë për 2560 kuota të mbetura bosh në të gjitha universitetet publike. Specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve bëjnë me dije, se do të ketë një kategori kandidatësh që do të plotësojnë Formularin A3 në shkolla. Kjo kategori duhet që më parë të bëjnë pagesën e një tarife prej 2 mijë lekësh, pasi në të kundërt nuk mund të bëhen pjesë e këtij procesi. Në grupin e kan-didatëve që do plotësojnë Formularin A3, përfshihen kandidatët që: kanë rezultuar kalues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar Formularin A2; kanë rezultuar kalues në provimet e Maturës Shtetërore, në sesionin e vjeshtës 2014; kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit dhe mbi bazën e ekuivalentimit të rezultateve të shkollës së mesme, si dhe kanë plotësuar Formularin A1Z në sesionin e dytë në muajin shtator 2014. Të gjithë këta kandidatë që do futen në garë duke plotësuar online 10 preferenca në Formularin A3, në portalin e maturës www.matura.-akp.gov.al, më parë duhet të paguajnë një tarifë prej 2 mijë lekësh si dhe të drejtohen në shkollën përkatëse ku kanë kryer gjimnazin për të hedhur notën mesatare në sistem.
VIJOJNË GARËN ME A2
Të drejtë të vijojnë garën për kuotat bosh e kanë maturantët që nuk kanë fituar asnjë degë, por do vijojnë garën me 10 preferencat që kanë plotësuar në Formularin A2. Ndërkohë që, të drejtë kanë edhe ata kandidatë që janë shpallur fitues dhe kanë dorëzuar dokumentet në fakultetet përkatëse, por në aplikimin online në fazën e parë kanë zgjedhur që vijojnë për një preferencë më të lartë. Këta kandidatë, mjafton që në linkun e maturës, www.matura.- akp.gov.al të klikojnë se vijojnë garën me Formularin A2, dhe nëse do fitojnë një preferencë më të lartë, sistemi i çregjistron nga programi ku janë regjistruar, dhe duhet që të regjistrohen sërish në sekretaritë mësimore me dokumentet përkatëse në preferencën më të lartë. Ndërsa ata kandidatë që zgjedhin të vijojnë garën por nuk fitojnë preferencë tjetër, vijojnë të jenë të regjistruar të degën e mëparshme. Fituesit e kësaj faze do të shpallen në datën 23 tetor, ndërkohë që autoritetet e arsimit bëjnë me dije se kandidatët e shpallur fitues në programet e studimit me kohë të plotë nuk mund të regjistrohen për të ndjekur njëkohësisht studimet në universitetet publike dhe ato private.
















