Nga Bled Komini*
Prej kohësh diskutohen teza të shumta dhe të ndryshme në lidhje me faktin se si është e mundur që në një kohë kaq shumë të shkurtër terrorizmi gjeti vend të përhapet e të hedhë rrënjë të reja, sidomos pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001. Por, ngjarjet e fundit në Paris (13 nëntor) treguan se terrorizmi është një farë, e cila mund të mbijë edhe në toka aspak të favorshme për lindjen dhe rritjen e tij (Ely Karmon’s: Coalitions Between Terrorist Organizations – Revolutionaries, Nationalists, and Islamists, Leiden: Martinus Nijhoff Publishers, 2005). Nga kjo qasje lind dhe mendimi im se terrorizmi e për më tepër i ashtuquajturi “islamik”, nuk mund të kuptohet vetëm duke iu qasur filozofikisht strukturalisht, por kërkon një qasje më të gjerë, të cilën do ta quaja qasje poststrukturale. E për të shpjeguar se çfarë kuptoj me qasje poststrukturale, po ndalem në një shpjegim të thjeshtë të dy fakteve shumë domethënëse, të cilat më bëjnë të mendoj në këtë mënyrë dhe që rrëzojnë shumë filozofi e besime për terrorizmin: Së pari, terrorizmi përgjithësisht ka lindur nga premisa konfliktesh të thella dhe kryesisht ka pasur dhe mbrojtur kauza të qarta, ndonjëherë të pranuara edhe nga kundërshtarët e tij (Richard Jackson and Samuel Justin Sinclair, editors. Contemporary Debates on Terrorism, New York: Routledge, 2012). Në rastin e sulmeve në Paris, nuk pati asnjë justifikim real se përse u goditën civilë dhe përse u godit Franca. Këtu theksoj se, edhe pse pati spekulime se Franca u godit për shkak të angazhimit të bombardimeve ndaj ISIS-it, gjithsesi nuk ishte një argumentim i qartë dhe serioz për të kuptuar arsyen e vërtetë të këtyre sulmeve. Këtu mund të shtrohet dhe fakti që, nëse ISIS vendosi të godasë Francën, përse goditi popullsinë civile dhe jo godinat qeveritare apo objekte të tjera strategjike?! Kështu mendoj se qasja se terrorizmi lind nga premisa konfliktesh të thella, bie. Ky përcaktim strukturalist që pretendon të japë një panoramë të thjeshtëzuar të “terrorizmit islamik”, nuk mund të mbrojë faktin se ku qëndronte pikërisht ky konflikt kaq i thellë me popullsinë civile në Paris?! Së dyti, terrorizmi nuk formuloi asnjë kauzë të re, e cila të na bindte se ky sulm ishte ndryshe nga të tjerët, por përkundrazi, nxiti një valë islamofobie ndaj popullsisë myslimane që jeton në Evropë e më gjerë në Perëndim (James J.F. Forest, editor, The Making of a Terrorist: Recruitment, Training, and Root Causes [Three Volumes] Westport, CT: Praeger Security International, 2006). Nga kjo pikënisje, shtrohet dilema se, nëse realisht sulmet e ISIS-it kishin si target të godisnin Perëndimin në zemër të tij apo të shtonin valën e islamofobisë, e cila do ngrihej si shpata e Demokleut mbi popullsinë myslimane, që prej kohësh ndihej e sigurt në vlerat dhe liritë e ofruara nga oksidenti. Përmes kësaj vale islamofobie, terroristët fare thjesht mund t’u tregonin bashkëbesimtarëve të tyre se Perëndimi është ai që ju keqtrajton dhe ju (myslimanët perëndimorë) nuk do të jeni pjesë integrale asnjëherë e kësaj shoqërie, që për ISIS-in quhej e “kalbur”. Së treti, një rrjedhim që del nga dy pikat e para, më nxjerr në konkluzionin se ISIS përmes terrorizmit synon që të shtojë radhët e tij dhe të popullojë territoret e pushtuara prej tij në Lindjen e Mesme. Kështu, fakti se ISIS sulmoi dhe goditi Parisin është një argument bindës se targeti real nuk ishte Franca, por popullsia myslimane në Evropë. Fakti që kjo popullsi po integrohej kaq mirë dhe po ndihej e mirëpritur prej vendeve evropiane, nuk mund t’i këtë lënë një shije të mirë Shtetit Islamik, i cili pretendon se vetëm ai është që sjell mirëqenien dhe lirinë e kërkuar. Për këtë arsye, sulmet terroriste në Evropë do rrisnin pakënaqësinë e qeverive dhe popullsive të këtyre vendeve ndaj myslimanëve dhe kjo do shpinte në politika antiemigracion, sulme raciste, islamofobi etj. Sytë e popullsisë së “dhunuar” myslimane evropiane do ktheheshin nga “shpëtimtari” ISIS. Ky i fundit do t’i priste “muhaxhirët” evropianë në gjirin e tij dhe do t’i kritikonte se përse këta nuk i kishin besuar parashikimet dhe predikatet e mbajtura nga liderët karizmatikë të Shtetit Islamik se Perëndimi është “armiku” dhe se Islami nuk mund të zhvillohet në Perëndim. Sipas kësaj logjike, triumfi i ekstremizmit do ishte i plotë edhe në zemrat dhe mendjet e atyre myslimanëve evropianë që e kishin parë Perëndimin si një shtëpi të dytë të tyren, madje më të qëndrueshme dhe më të “rehatshme” se shtetet që ata kishin lënë pas. Gjer më sot, studime të mirëfillta mbi terrorizmin apo siç quhet ndryshe “luftën mbi terrorin” nuk kanë munguar. As autorë seriozë e me peshë në fushën e sigurisë apo fusha të përafërta me të nuk i janë shmangur dhënies së përkufizimeve të ndryshme mbi këtë fenomen. Por ajo që bie në sy është fakti se tek një pjesë e madhe e tyre gjen vend shprehja apo përkufizimi se një pjesë e madhe e këtyre specialistëve janë fokusuar gjithnjë drejt një mendimi strukturalist mbi terrorizmin. Këtu, nisur dhe nga tri parashtrimet e mësipërme, mund të shtrohet pyetja: A ka vend për një qasje vetëm strukturaliste mbi terrorizmin? Ndër studiuesit më të mirë të viteve të fundit që janë marrë dhe kanë dhënë përcaktime serioze në enciklopedi apo monografi të ndryshme mbi terrorizmin dhe për dhunën e shkaktuar prej tij, mund të përmend: James Ciment; Edward E. Mickolus dhe Susan I. Simmons; Alex P. Schmid; Gus Martin; Paul B. Rich dhe Isabelle Duyvesteyn; Bruce Hoffman; Peter R. Neumann; Adrian Guelke; Michael Burleigh etj., të gjithë këta në botimet e tyre i janë qasur studimit të terrorizmit mbi disa nivele koherente si dhe strukturaliste. Pra, duke përkthyer në fjalë të tjera, përcaktimet e tyre në këto studime përgjithësisht priten në një pikë, sipas së cilës terrorizmi pavarësisht se nga vjen apo se nga kush praktikohet, është një dhunë (me pasojë vdekjen) e ushtruar drejtpërdrejt mbi popullsinë e pafajshme civile. Pra, nëse do kërkohej të jepej një teori mbi terrorizmin, fare thjesht mund të përkufizohej si: Dhunë e ushtruar ndaj civilëve (dhe jo vetëm,) të pambrojtur, mbështetur mbi veprime aktive, të rrjedhshme nga individë që mbështesin ideologji, rryma politike apo besime të caktuara (Ekaterina Stepanova, Terrorism in Asymmetrical Conflict: Ideological and Structural Aspects (Neë York: Oxford University Press, 2008)). Kështu, nisur nga kjo premisë, të gjitha studimet e mësipërme janë rrekur që të tregojnë se edhe “terrorizmi islamik” është një dhunë e ushtruar, nga e cila kanë gjetur vdekjen qindra e mijëra qytetarë të pafajshëm, të cilët kanë qenë objekt i drejtpërdrejtë i këtyre sulmeve. Ky përcaktim, që do e quaja strukturalist, që kërkon të japë një përkufizim dhe kornizim të këtij fenomeni shkatërrues për lirinë dhe demokracinë e popujve, sipas mendimit tim, nuk na shpie asgjëkund për të kuptuar sulmet e fundit në Paris, apo për të kuptuar lindjen dhe zhvillimin e “Shtetit Islamik” (ISIS). Për këtë arsye mendoj dhe mbështes idenë se terrorizmit dhe kryesisht atij të ashtuquajtur “islamik” i duhet kushtuar një qasje aspak strukturaliste, por asimetrike poststrukturaliste (Kjo qasje, në fakt ka filluar të bëhet edhe nga disa pionierë të kësaj fushe si: John Horgan, The Psychology of Terrorism (New York: Routledge, 2005; Walter Enders and Todd Sandler, The Political Economy of Terrorism (New York: Cambridge University Press, 2006; Magnus Ranstorp, Mapping Terrorism Research: State of the Art, Gaps and Future Direction (New York: Routledge, 2007; Bruce Bongar, Psychology of Terrorism (New York: Oxford University Press, 2007; Adam Dolnik, Understanding Terrorist Innovation: Technology, Tactics and Global Trends (New York: Routledge, 2007). Nga kjo mund të përfitohet dhe fakti se tashmë, ndryshe nga më parë, terrorizmi është kthyer në një shpatë që rri varur dhe pret momentin jo vetëm ndaj popullsive jomyslimane, por kryesisht ndaj atyre popullsive myslimane që jetojnë në Perëndim. Për ta vërtetuar këtë mjafton të shtrohet pyetja: A e mendojnë ndonjëherë terroristët se përmes këtyre sulmeve mund të vriten dhe besimtarë myslimanë? E nëse për terroristët edhe myslimanët janë mish për top, atëherë si mund t’i qasemi strukturalisht terrorizmit përmes teorive të vjetra duke e quajtur “dhunë e ushtruar ndaj civilëve” (dhe jo vetëm) mbështetur mbi veprime aktive, të rrjedhshme nga individë që mbështesin ideologji, rryma politike apo besime të caktuara? Nëse terrorizmin e zhveshim nga premisa se ai nis nga një konflikt, nga kauza se ai mbështetet në një ideologji të njëjtë apo besim (religjion) përmes të cilit synon të tregojë diçka apo të arrijë një objektiv të qartë, si do e quanim këtë të fundit, i cili nuk ka asgjë të përbashkët me këtë përcaktim? Kur ai refuzon të identifikohet edhe me vetë islamin tradicional, si do e quajmë këtë lloj të ri terrorizmi? Për ta kuptuar dhe për t’i dhënë një shpjegim më të qartë, besoj se vetëm duke e zbërthyer në mënyrë asimetrike frymën që ai përcjell dhe synon të imponojë, mund të deduktojmë disa prej synimeve dhe bindjeve të tij. Kështu dhe reagimet ndaj fatkeqësisë ISIS mund të jenë më të efektshme dhe më produktive.
















