Ligji është njëlloj për të gjithë. Policia Rrugore nuk bën dallim në operacionet e saj kontrolluese në rrugët e Shqipërisë për evidentimin e shkeljeve të qarkullimit rrugor.
Në bllokun e gjobave të Policisë Rrugore gjenden edhe emrat e njohur personalitetesh të vendit tonë. Kjo do të thotë që jo vetëm njerëzit e thjeshtë mund të ndëshkohen për shkelje të rregullave të qarkullimit.
E njëjta gjë mund t’u ndodhë njerëzve të njohur të politikës, medias, biznesit dhe rendit në Shqipëri.
Sipas policisë, në sajë të masave të ndërmarra nga organet e rendit, vetëm për muajin tetor janë marrë shumë patenta të këtyre personave, ndërkohë që edhe gjobat kanë qenë të shumta në numër, kryesisht për deputetët.
Kështu, një ndër të ndëshkuarit është edhe deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, të cilit i është marrë patenta pasi ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor duke mos respektuar sinjalet e semaforit.
Një tjetër deputet, ai i LSI-së Agron Çela, është gjobitur nga policia pasi ditë më parë është evidentuar duke ecur në kundërvajtje dhe për këtë arsye është ndaluar nga efektivët e policisë.
Mësohet se deputeti Çela, në fillim i ka kundërshtuar forcat blu, gjë që i ka shkaktuar atij edhe gjobitjen me 3 mijë lekë të reja.
Edhe kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu është kapur me shkelje gjatë drejtimit të mjetit të tij dhe për pasojë i është marrë patenta.
Patenta i është marrë edhe diplomatit Syl Mustafaj dhe pedagogut të Ekonomisë, R. Prifti.
Në mesin e kësaj liste gjendet edhe emra të shoferëve të deputetëve, ish-efektivëve të policisë, avokatëve etj.
Sipas nenit 144 të Kodit Rrugor, kushdo që shkel rregullat e qarkullimit duke vazhduar lëvizjen e mjetit edhe pse semafori e ndalon këtë gjë, ndëshkohet me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë, si dhe me masë plotësuese administrative, me pezullimin e lejes së drejtimit nga 6 deri në 12 muaj.
Ditën e shtunë, Task-Forca e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor Tiranë, ka vënë në pranga 10 persona për shkelje të ndryshme.















