Policia e Fierit e ndihmuar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato të repartit “Shigjeta” ndërmorën operacionin e koduar “Çlirim”, gjatë të cilit janë arrestuar tre persona me precedentë të mëparshëm penalë.
Për më shumë se 18 orë, fshati Çlirim, prej nga mori edhe emrin ky operacion ka qenë nën survejim policor me agjentë krimesh dhe jo vetëm. Pas shumë orësh, janë arrestuar tre persona dhe sekuestruar armë. 2 armë zjarri, municion luftarak, 2 armë të ftohta dhe 1 makinë e blinduar janë tashmë provë kundër të arrestuarve.
Në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri dhe në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si edhe nga informacionet e mara në rrugë operative, Policia bëri të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve: Sh. K., 33 vjeç, banues në Fier, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje; •A. B., 35 vjeç, banues në Fier; •R. L., 20 vjeç, banues në Fier;
Gjatë kontrollit të ushtruar nga strukturat e DVP Fier, në fshatin Çlirim, Fier, në mjetin e blinduar Audi A8, i cili drejtohej nga shtetasi R. L., poshtë sediljes së parë të pasagjerit, ku ishte ulur shtetasi Sh. K., u gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri tip pistoletë dhe 2 krehëra me 24 fishekë.
Gjatë kontrollit personal, shtetasit R. L. iu gjet dhe sekuestrua një mjet prerës (thikë), që e kishte në çantën e dorës. Gjithashtu, gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit A. B., u gjet dhe u sekuestrua një mjet prerës (thikë).



















