Që prej mbrëmjes së djeshme, në një pjesë të rrugëve kryesore të qytetit të Kumanovës është bllokuar qarkullimi i automjeteve. Sipas shtypit maqedonas, në disa lagje, ka një prezencë të shtuar të forcave policore dhe ushtarake, të cilët patrullojnë vazhdimisht me mjete të rënda.
Kryebashkiaku i Kumanovës, Zoran Damjanovski, ka deklaruar për mediat se nuk ka asnjë informatë për shtimin e numrit të policëve nëpër rrugët e qytetit, edhe pse ka kërkuar shpjegim për këtë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Nga Ministria, pohon ai, janë përgjigjur se kjo ka të bëjë me arsye sigurie.
“Kam marrë vesh se mbrëmë dikush ka paralajmëruar sulm mbi stacionin policor, si dhe mbi institucione të tjera të shtetit, por e tëra kjo mbetet në rrafshin e spekulimeve. Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk më japin asnjë informacion. Populli është në panik dhe nëpër rrugët e bllokuara nga policia sundon kaos i plotë. Prindërit i marrin fëmijët e tyre nga çerdhet dhe shkollat”, ka deklaruar Damjanovski.
Në ndërkohë, në mediat maqedonase spekulohet se kjo atmosferë qëllimisht e inskenuar në Kumanovë, ka për qëllim tërheqjen e vëmendjes së qytetarëve të Maqedonisë nga “bomba” e sotme që do të publikojë Zaevi e që thuhet të jetë për rastin “Monstra”.
Javën e shkuar gjatë luftimeve në Lagjen e Trimave, mes policisë maqedonase dhe luftëtarëve të UÇK-së, mbetën të vrarë 22 persona, 14 anëtarë të grupit çlirimtar dhe 8 agjentë.
















