Në kuadër të këtij plani operativ, një ndër prioritetet në fushën e veprimit në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë ishte parandalimi i të shtënave në ahengje.
“Gjatë kësaj periudhe kohore është arritur që me kohë të identifikohen vendet ku dëgjoheshin të shtëna, reagimet e shpejta dhe efikase të zyrtarëve policorë kanë rezultuar që në 22 raste të intervenimeve policore të konfiskohen 23 armë të ndryshme, si dhe të arrestohen 21 persona në cilësi të dyshuarve”, ka bërë të ditur Policia e Rajonit të Mitrovicës.
Po sipas Policisë, veprimet policore që në fillim të sezonit veror ishin të orientuara në sensibilizimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve për rrezikun dhe pasojat e përdorimit të armëve në ahengje, ku zyrtarët policorë përmes takimeve që kanë zhvilluar me banorë të zonave të ndryshme, ashtu edhe me përfaqësues të fshatrave, pronarë të lokaleve, anëtar të KLSP-ve, grupe rinore, kanë promovuar arsyen e veprimit të përbashkët, njëkohësisht nën moton “Festo pa armë” janë shpërndarë edhe fletëpalosje.






















