Një aksion i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë në Pogradec ka përfunduar me dhunimin e dy punonjësve të këtij operatori, në përpjekje për të ushtruar kontroll në një banesë në lagjen Nr.4 të Pogradecit.
Sipas policisë, dy punonjësit e OSHEE-së kanë kërkuar të futen në banesën e vëllezërve Aurel dhe Ermir Kalija, 34 dhe 29 vjeç, por janë kundërshtuar nga këta të fundit. Të njëjtat burime bëjnë me dije se situata është tensionuar, pasi specialistët kanë konstatuar se ka pasur ndërhyrje në matësin elektrik.
Dy vëllezërit kanë qëlluar disa herë me sende të forta dy punonjësit e OSHEE-së, K.N, 53 vjeç dhe E.S, 22 vjeç. Këta të fundit janë transportuar në spitalin e Pogradecit ku janë jashtë rrezikut për jetën. Policia ka vënë në pranga dy vëllezërit Kalija, të cilët përveç akuzës së vjedhjes së energjisë elektrike, akuzohen edhe për ushtrim dhune për shkak të detyrës.















