Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Punës, ka thënë për gazetën “Zëri” se ndaj Muhamet Binakut është ndërmarrë pezullimi i përkohshëm nga detyra, në bazë të Nenit 69 të Ligjit për Shërbimin Civil të Kosovës. Ai thotë se si trup inspektues nuk kanë pasur më herët dyshime rreth tij, pasi që, sipas tij, edhe Inspektorati i Punës do të kishte marrë masa.
“Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Kosovës, me datë 23.09.2016 rreth orës 16:00, është arrestuar Muhamet Binaku nën dyshimin se ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe për marrje ryshfeti (mitos). Të njëjtit me urdhër të Gjykatës Themelore (Departamenti i Krimeve të Rënda) i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Ndaj tij, është ndërmarrë pezullimi i përkohshëm nga detyra në bazë të Nenit 69 të Ligjit për Shërbimin Civil të Kosovës. Sigurisht që nuk kemi pasur dyshime të tilla, përndryshe do të kishim ndërmarrë masa ndaj tij, apo edhe kujtdo qoftë tjetër”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, në një komunikatë për media nga Gjykata Themelore në Prishtinë, thuhet se kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve për të pandehurin Muhamet Binaku.






















