Besa Luzha, Florina Duli dhe Rudinë Jakupi në emër të të gjithë qytetarëve do të dorëzojnë peticionin.
Organizatorët kanë bërë me dije se sonte do të njoftojnë për numrin e saktë të nënshkrimeve që janë mbledhur në këto ditë.
Mbrëmë, dita e katërt e mbledhjes së nënshkrimeve është mbyllur me rreth 18 mijë sosh.
Shoqëria civile kishte thirrur të enjten protestë, pas përfundimit të së cilës bëri thirrje për nënshkrimin e peticionit që ishte përgatitur mbi këto pika:
- Hetim të pavarur dhe transparent për rastin sa më parë
- Dorëheqjen e udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për mosgatishmërinë morale e ligjore për të kërkuar dhe dhënë përgjegjësi.
- Fillimin e menjëhershëm të ndjekjes penale të përgjegjësve që dështuan të garantojnë sigurinë e jetës së Astritit në institucionet e shtetit dhe shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës në tërë zinxhirin hierarkik për mos trajtimin dinjitoz të Astritit në qendrën e paraburgimit edhe pas vdekjes së tij.
- Kryesia e Kuvendit të Kosovës në bazë të Nenit 38, paragrafit 1 të Rregullores së Punës së Kuvendit, të thërras mbledhje të jashtëzakonshme për rastin e Astrit Deharit.
Astrit Dehari vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në ditën e 5 nëntorit. Raporti i autopsisë ka gjetur se ai ka ndërruar jetë nga asfiksia e shkaktuar nga vet 26 vjeçari, por familja Dehari e lëvizja Vetëvendosje pjesë e të cilës ishte ai nuk po e pranojnë këtë version.





















