Peza, ftesë PD-së: Ushtroni të drejtën, mblidhemi sot për të mbyllur procesin
Gentian Sala, Gentian Skënderaj, Anila Basha dhe Bers Hado janë katër kandidatët e përzgjedhur nga Komisioni i Medias për postin e kryetarit të ri të Autoritetit të Medias Audiovizive. Dy nga katër kandidatët e zgjedhur nga mazhoranca pritet që të hidhen në votim seancën e ardhshme parlamentare edhe pse opozita, nga ana e saj, vazhdon qëndrimin bojkotues në komisionet parlamentare. Katër kandidatët për kreun e AMA-s erdhën pas një seleksionimi që u bënë nga shtatë kandidatë që ishin pranuar për të kandiduar në këtë post. Tashmë procedurat që do të ndiqen me katër kandidatët janë pikërisht realizimi i një seance dëgjimore me të katër kandidatët dhe më pas faza e seleksionimit të dy prej tyre për t’iu propozuar Parlamentit për votim. Sipas procedurave të miratuara më parë, nga katër kandidatët që do të mbeten në garë, opozita ka të drejtë të heqë dy emra, ndërsa mazhoranca do të dërgojë në Kuvend dy kandidatët e saj, nga i cili do të zgjidhet kreu i ri i këtij autoriteti. Pas kësaj përzgjedhjeje, pritet që vetëm dy prej tyre t’i propozohen Kuvendit për votim. Sipas mazhorancës, e pranishme në seleksionimin e dy nga katër kandidaturave, duhet që të jetë dhe opozita. Ndërkohë që tre kandidatët e skualifikuar nga gara ishin Zylyftar Bregu (gazetar), Raif Gorana (ekonomist) dhe En Muçi (ekonomist), të cilët morën më pak vota. Në fillim mbledhjes së djeshme të Komisionit Parlamentar të Medias, nënkryetari i komisionit, Alfred Peza, i bëri sërish thirrje opozitës që të vijë dhe të ushtrojë të drejtën e saj ligjore për të eliminuar dy nga katër kandidatët e përzgjedhur. Për deputetin e PS-së Peza, kjo nuk është thirrja e parë që vjen në drejtim të anëtarëve të opozitës në këtë komision, ku vetëm dy ditë më parë ai është shprehur se mazhoranca do të vijojë rrugën e saj për të plotësuar këtë institucion për mediat audiovizive në vend. Peza ftoi të gjithë deputetët e Parlamentit të ishin të pranishëm në këtë seancë dëgjimore që do të mbahet javës që vjen, duke siguruar në këtë mënyrë transparencë të plotë. “I bëj thirrje publike opozitës për zgjedhjet në AMA. Zyrtarizuam kandidatët për kryetarin e AMA-s ndaj mblidhemi nesër në orën 09:30 për kreun e ri të AMA. Opozita do ketë kohën të ushtrojë të drejtën e saj ligjore”, është shprehur nënkryetari i këtij komisioni. Para dy javësh, deputetët e mazhorancës, pa praninë e opozitës, arritën që të përzgjedhin dhe të votojnë në Kuvend edhe dy anëtarët e Autoritetit të Medias, pikërisht Pirro Mishën dhe Gledis Gjepalin. Aktualisht AMA ka edhe një vend vakant, i cili, sipas rregullores, i takon opozitës që të përzgjedhë dhe t’i propozojë Kuvendit për votim një emër të saj. Pas këtij institucioni, Komisioni i Medias do të fillojë procedurat për këshillin drejtues të RTSH-së, institucion i cili, sipas të majtëve, nuk është në shërbim të qytetarëve edhe pse mbahet pikërisht me taksat e tyre.















