BBC
Gjashtëdhjetë vjet më parë, një avion pasagjerësh u mor peng dhe kreu ulje të detyruar në një plazh ranor në Mianmar, i njohur gjithashtu si Burma. Për shumë vite, incidenti që përfshiu rebelët Karen u mbajt i fshehtë, por tani është krijuar një film rreth tij.
I rehatuar në kolltukun e tij, Saw Kyaw Aye e bën dorën grusht, e ngre në fytyrë dhe imiton tërheqjen e unazës së granatës me dhëmbë.
Gjashtëdhjetë vjet mund të kenë kaluar, por kjo është historia që një 87-vjeçar ka treguar prej shumë kohësh. Ai i mbyll sytë për një çast. Kthehet pas në kohë. Është viti 1954 dhe ai sapo ka hyrë me forcë në kabinën e pilotit të një avioni pasagjerësh.
Ky është çasti kritik i planit urgjent për të vjedhur një Dakota DC-3 dhe për ta përdorur për të eksportuar armë. Në këtë pikë ai m’i ngul sytë dhe më thotë se i bërtiti pilotit britanik, kapitenit A. E. Hare: “Do të vdes për kombin tim Karen – për çfarë do ta japësh jetën ti?”
Duke e kuptuar rrezikun, kapiteni Hare kapitulloi. Ai mori hartën që rebelët kishin vizatuar dhe ra dakord t’i dërgonte në një pikë afër gjirit perëndimor të Mianmarit. Në atë kohë, organizata etnike Karen kontrollonte tokën si në lindje edhe në perëndim të kryeqytetit të atëhershëm Rangoon dhe plani ishte të përdornin avionin për t’i lidhur të dyja.
Për tri orët në vazhdim, Saw Kyaw vëzhgoi plot dëshpërim në tokë duke kërkuar për një letër të madhe të bardhë që do të tregonte një pistë të parapërgatitur. Por diçka nuk kishte shkuar siç duhet.
Ndoshta asnjë prej rebelëve të tjerë nuk kishte besuar në të vërtetë se plani do të funksiononte. Pengmarrja e një avioni në vitet 1950 ishte pothuajse e padëgjuar dhe dy nga komandantët më të lartë të Karenit e kishin refuzuar plotësisht skemën. Njëri prej tyre madje e kishte quajtur atë të marrë.
I marrë apo jo, Saw Kyaw ishte tani në kontroll të avionit pa pasur asnjë vend ku të shkonte dhe me karburantin që po i mbaronte. I dëshpëruar, piloti u përpoq ta ulte avionin në një plazh ranor. Dy përpjekjet për t’u ulur ishin anuluar – përpara përpjekjes së tretë, ata e gjetën veten të zhytur në rërë.
Pasagjerët u lejuan të zbrisnin dhe pengmarrësit atëherë zbuluan se avioni kishte në bord disa sëndukë metali të rënda. Ishin para që po transportoheshin midis filialeve të bankës – 700 mijë kyat burmeze. Me paratë e sotme janë 700 dollarë, por në atë kohë vlenin shumë më tepër.
“E kuptuam që ishin paratë e armiqve, ndaj i morëm”, thotë Saw Kyaw me një buzëqeshje. Pasagjerët dhe ekuipazhi u lejuan të kthehen në avion dhe avioni ia doli që të ngrihej përsëri, teksa rebelët u fshehën në shkurre.
Është një histori gati hollivudiane. Por nën rregullat strikte të censurës së Burmas, për 50 vitet e fundit kushdo që dëshironte ta dëgjonte këtë histori duhej të shkonte në shtëpinë e Saw Kyaw. Gjeneralët nuk donin që njerëzit të zbulonin se rebelët kishin marrë peng avionë të zotëruar nga qeveria.
Por tani, censura e fjalës së printuar ka rënë dhe historia e Saw Kyaw u publikua në një libër vitin e shkuar. Titulli “Pengmarrja e parë e avionit në botë” është disi e gabuar. Një kërkim i shpejtë në internet tregon se kishin ndodhur të paktën katër pengmarrje të avionëve në botë përpara këtij.
Libri do të bëhet film dhe do të mbajë të njëjtin titull. Censura e kinemasë funksionon akoma në Burma. Skenari duhet të miratohet dhe më pas duhet të marrë sërish miratim pasi të jetë mbaruar filmi. Skenari është miratuar. Ushtria burmeze ka dhënë me qira një avion dhe disa armë për filmin. Edhe pas 60 vjetësh, konflikti Karen mbetet akoma i pazgjidhur.