Fenomeni i daljes së ujërave të zeza mbi rrugë është denoncuar sot nga emisionin investigativ “STOP”.
Në të paktën 50 raste, kjo shkaktohet si pasojë e ndërtimeve të reja, ku ndërtuesit nuk kanë zbatuar detyrimin e tyre ligjor për të bërë lidhjen me kolektorin kryesor.
Një gjë e tillë ndodh dhe në një nga zonat më të populluara dhe të shtrenjta të Tiranës, në rrugën “Myslym Shyri”.
Në pamjet e publikuara nga emisioni, duken ujërat e zeza që kanë pushtuar rrugicat e lagjeve, ndër më të vjetrat të kryeqytetit.
Banorët e pallateve ankohen se këto ujëra të zeza që dalin në sipërfaqe, sjellin vetëm sëmundje dhe një erë të tmerrshme. Ndërsa kalimtarët, që u bie rruga në këtë lagje, shprehen se kjo gjendje është skandaloze.
Në rastin konkret, duhen vetëm 7 milionë lekë të vjetra nga ana e ndërtuesit të pallatit, që të rregullonte shkarkimin e ujërave të zeza në kolektor dhe jo t’i kalonte ato në një pusetë ekzistuese, e cila është vetëm për pak familje.
“STOP” është drejtuar në zyrat e Drejtorisë së Ujësjellës Kanalizimeve, për të pyetur për problematikën e kësaj rruge.
Një prej specialistëve të këtij institucioni shpjegon se, objekti në fjalë është i pa kolauduar dhe se është i braktisur nga investitori që ka kryer punimet.
Detyrimi ligjor për këtë investitor ka qenë që të bëjë pikën e lidhjes, si për Ujësjellësin dhe për Kanalizimet, thotë specialisti.
“Subjekti përkatës, duhet të dërgojë një kërkesë pranë Ujësjellës – Kanalizime, për pikat e takimit, si për ujin, ashtu dhe për kanalizimet. Por subjekti në fjalë nuk e ka bërë dhe prandaj është krijuar kjo situatë”, sqaron ai.
Kërkesa për pikën e takimit për kanalizimet duhet të bëhet nga pronari, ose ky i fundit të bëjë pagesën tek Ujësjellësi dhe investimin e bën Drejtoria e këtij institucioni.
Nga investigimi i “Stop” duket se për ujërat e zeza që derdhen në rrugën e “Myslym Shyrit”, nuk është fajtore Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve.
Janë mbi 60 raste në Tiranë, ku investitorët kanë braktisur qytetarët, të cilëve iu kanë shitur apartamentet.
Për këto raste, e vetmja zgjidhje është që të qytetarët të drejtohen pranë Shoqërisë së Ujësjellës Kanalizimeve për të bërë pagesën për lidhjet e ujit të pijshëm dhe të kanalizimeve, ose në rast të kundërt, kjo bëhet në mënyrë private nga vetë ata.
















