Si të mos mjaftonin telashet me pandeminë e koronavirusit, jugu i Japonisë është përballur me reshje shiu të paprecedentë, të cilat kanë shkaktuar përmbytje masive e rrëshqitje dheu. Të pakën 14 persona mendohet të kenë vdekur në një azil pleqsh në ishullin Kyushu.
Dhjetëra mijëra vetëve nga ana tjetër i është kërkuar të braktisin shtëpitë e tyre teksa lumi Kuma në prefekturën Kumamoto ka dalë nga shtrati e është kthyer në kërcënim për komunitetet përreth. Kryeministri Shinzo Abe ka urdhëruar dërgimin e 10.000 trupave në rajon pasi shërbimet e emergjencës atje nuk po i bëjnë dot ballë vetë situatës.
Sipas Abes, shirat parashikohet të vazhdojnë të rrëmbyera edhe përgjatë ditës së diel, ndërsa i nxiti njerëzit të tregojnë “kujdes maksimal”.
Dëshmitarë okularë treguan sesi vërshimi i ujërave ka marrë me vete pemë e shtëpi, ndërsa ajri ishte mbushur me erën e gazit të dalë nga tubacionet e dëmtuara. Agjencia vendase e Metereologjisë tha se reshje të tilla shiu nuk ishin parë asnjëherë në rajon.






























