Nga Mal Berisha
Kërkesa për një përshëndetje në numrin e ri të vitit 2016 të botimit “Udhëtimi Im” më erdhi si një surprizë ekëndshme nga z PetritKuçana. Prandaj edhe e ndjeva si detyrë të shkruaj këto radhë, si një evokim i shumë kujtimeve të përjetuara me bashkatdhetarët tanë në Britaninë e Madhe, gjatë afro katër vjetëve. Në fakt e fillova punën aty me një synim të qartë: Të bëja gjithçka që mundesha , që ju të ndjeheshit krenar për atë çfarë ne shqiptarët jemi në përgjithësi dhe për atë çfarë jemi për britanikët në veçanti. Ky ka qenë edhe objektivi i punës time si përfaqësuesi juaj në Britaninë e Madhe. Që të arrihej të kuptohej sa më mirë kjo aksiome, duhej që së pari të ishit ju ata që jeni, djem e vajza shqiptarë, që në një moment të caktuar në një rrethanë ose në një tjetër, morët rrugën drejt Mbretërisë së Bashkuar. Me vendosjen tuaj masive aty, kujtdo që takohet me juve aty i lind pyetja: Kush janë këta njerëz? Nga vijnë? Çfarë përfaqësojnë? Si do të integrohen? Do integrohen apo do të asimilohen? Nga ana tjetër, edhe vetë shqiptarët gjendeshin përpara pyetjes: Si do të jenë vendasit me ne, në Britaninë e Madhe?
Unë mendoj se me punën që keni bërë, përfshirjen në jetën e atij vendi, studimet, shkollat, performancat, biznesin, keni arritur të bëheni një pjesë intergale e asaj shoqërie, pa të cilën vetë asaj do t’i mungonte një gur i çmuar, në atë mozaik kombesh e kombësish të jashtëzakonshme.
Kjo listë rrugëtarësh që sivjet ka vitin e dytë të botimit, në një përmbledhje dinjitoze, është në fakt ajo që i jep përgjigjen më të mirë kësaj pyetje. Jeni ju ata, që me punën dhe përpjekjet tuaja, me dashurinë dhe respektin që tregoni për vendin tuaj nga e keni origjinën, me punën e palodhur dhe arritjet, jeni kthyer në përfaqësuesit më të mirë të Shqiptarisë.
Në një vend aq të lirë dhe me aq shumë bashkësi të huaja, ju jeni një vlerë e shtuar, një aset. Këtë e them sepse me punën tuaj, keni ditur të harmonizoni vlerat e mrekullueshme të popullit tonë, të mbartura drejt ishullit britanik, nën emërtesën tuaj shqiptare qindra mijëshe me ato të vendasve, që janë populli më mëndje hapur në botë.
Prandaj, edhe pse jo në detyrën që kisha gjatë edicioneve të mëparshme, si një vëlla e bashkëpatriot i juaji, ju përgëzoj për arritjet dhe ju uroj shumë suksese në të ardhmen. Do të desha të shtoj se, ju jeni ata që me punën tuaj, sado individuale të duket, nuk i bëni mirë vetëm vetvetes ose thjesht familjes tuaj. Ju jeni përditë të rrethuar prej britanikëve, të cilët mund të jenë vendas, por mund të jenë edhe me kombësi tjera. Dhe me ato vepra ju i shtoni bashkësisë tjetër shqiptare shanset, që të jenë shumë më të mirëpritur në mjediset e tyre.
Dhe ky është një proces që vazhdon. Shpeshherë ne nuk e kujtojmë, që me një vepër të mirë bëjmë edhe shumë vepra tjera të dobishme, sikundër që me një vepër të keqe, bëjmë edhe shumë vepra tjera të dëmshme. Ju i përkisni kategorisë së parë.
Prandaj, ju uroj nga zemra për edicionin e dytë! I uroj gjithë ata që përbëjnë këtë edicion, të përparojnë edhe më tej. Ata që kanë bërë edicionet e mëparshme, të jenë duke avancuar në punërat e tyre! Dhe shumë tjerë të jenë duke përparuar, aq shumë sa një ditë të përbëjnë materialin e edicionit të ardhshëm.
Më të mirat dhe dëshirat më të përzemërta














