Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Edi Paloka deklaroi dje se mazhoranca ka përjashtuar opozitën nga delegacioni i përhershëm i Kuvendit në Unionin Ndërparlamentar (IPU). “Nga datat 12 deri me 16 tetor do të zhvillohet në Gjenevë, Asambleja e Përgjithshme e Unionit Ndërparlamentar, i cili është organizmi ku përfaqësohen në nivelin më të lartë Parlamentet nga gjithë bota. Në këtë Union dhe Shqipëria përfaqësohet me delegacionin e saj të përhershëm parlamentar që përbëhet nga përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës, si të gjithë delegacionet e tjera që përfaqësojnë Parlamentin Shqiptar në Parlamentin Evropian, Këshillin e Europës apo OSBE.
Po çfarë ndodh me Parlamentin shqiptar? Vetëm dy ditë pasi Bashkimi Europian në progres-raport, bën të qartë se bashkëpunimi, konsensusi me opozitën dhe gjithëpërfshirja, janë kryekushti i BE-së për politiken shqiptare, mazhoranca ndërmerr këtë akt të fundit të dhunimit të të drejtave të opozitës, duke e përjashtuar nga delegacioni”, – tha Paloka. Sipas tij, Meta ka urdhëruar ngritjen e një delegacioni sipas dëshirës së tij. Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. ”…Kjo është një çështje krejtësisht administrative, e cila konsiston në faktin që opozita ka shpallur bojkot prej kohësh të të gjitha aktiviteteve parlamentare dhe natyrisht të të gjitha delegacioneve ku shkon kryetarit i Kuvendit. Por mund t’ju them se për fat të keq, edhe përpara se të shpallte bojkotin, pra kur ajo kishte një pjesëmarrje të rregullt normale në Kuvendin e Shqipërisë dhe në delegacionet parlamentare, janë të shumta rastet kur opozita ka konfirmuar pjesëmarrjen, pra deputetë të saj. Jo vetëm kaq, por u janë prerë edhe biletat deputetëve të opozitës, dhe më pas janë anuluar prej tyre në minutën e fundit dhe për shkak të procedurave që ka qenë e detyruar të ndjekë administrata e Kuvendit për këto çështje, janë disa mijëra euro që shteti dhe taksapaguesit kanë humbur për shkak të kësaj mënyre jo normale dhe jo luajale të veprimit të tyre”, – tha ai. Meta iu referua edhe rasteve konkrete. “Qoftë kur kanë qenë raste të një vendimi politik, siç ka qenë rasti i bojkotimit të vizitës së Kryetarit të Kuvendit në Danimarkë. Qoftë edhe mjaft raste të tjera, mjaft asamble, që nga ajo e NATO-s, që nga asambleja parlamentare e CRCP-së, asambleja parlamentare e ortodoksisë, edhe shumë raste të tjera. Pra, jam i detyruar të jap këtë shpjegim, sepse nuk kemi të bëjmë thjesht me problemin e pjesëmarrjes apo jo në një delegacion parlamentar, por kemi të bëjmë me mungesën e koherencës nga ana e opozitës, që nga njëra anë shpall se kemi bojkotuar aktivitetet parlamentare dhe aktivitetet e Kryetarit të Kuvendit në planin ndërkombëtar, dhe natyrisht që unë do të jem në Gjenevë në këtë aktivitet të rëndësishëm, dhe nga ana tjetër akuzon Kuvendin për mospjesëmarrje”, – tha ai. Megjithatë, Meta shtoi se i ka kërkuar administratës që të komunikojë me PD-në dhe me grupin e saj parlamentar në mënyrë që të bëhet i mundur përfaqësimi i tyre.
















