PDK dhe LDK do të nënshkruajnë javën e ardhshme marrëveshjen e bashkëpunimit për ti hapur rrugë kështu krijimit të qeverisë së rë të Kosovës. Kanë qenë vetë krerët e partive që kanë bërë të ditur takimin në profilet e tyre në Facebook.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa shkruan se është bërë një punë e rëndësishme në definimin e raporteve të bashkëpunimit për një qeverisje të qëndrueshme dhe efektive.
“Marrëveshja pritet të nënshkruhet në fillim të javës së ardhshme. Me marrëveshje do të bëhet edhe ndarja e përgjegjësive, përfshirë edhe fushat e caktuara të qeverisjes. Pas kësaj do të pasojnë konsultimet e brendshme për caktimin e kabinetit qeveritar”, shkruan Mustafa.
Ndërsa kreu i PDK-së, Hashim Thaçi bën të ditur se më pas do të bëhet edhe ndarja e përgjegjësive institucionale. “Ishte konkludim i përbashkët se është bërë një punë efektive në kuadër të bashkëpunimit ndërpartiak, PDK-LDK, që qeverisja të jetë e suksesshme në realizimin e projekteve dhe agjendës. Presim që marrëveshjen perfundimtare ta nënshkruajmë javën e ardhshme kur do të bëhet ndarja e përgjegjësive institucionale”, shkruan Thaçi.
Edhe pse asnjë prej liderëve nuk deklaron se nga radhët e kujt partie do të jetë kryeministri i ardhshëm, mediat në Prishtinë bëjnë të ditur se do të jetë vetë Isa Mustafa në krye të qeverisë së re. Më herët, dy liderët kanë pasur takim me presidenten Ahtifete Jahjaga ku i kërkuan që seanca e konstituimit të mbahet më 8 dhjetor.
















