Brenda javës së ardhshme lideri i PDK-së Hashim Thaçi, pritet t’i ftojë ndaras në takime krerët e partive të bllokut paszgjedhor, me synim që ta bind ndonjërin prej tyre që t’i bëhet partner në qeverisje dhe kështu ta nxjerrë vendin nga ngërçi politik në të cilin është futur pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit.
Partia e Hashim Thaçit, si fituese e zgjedhjeve parlamentare, shpreson se do ta bindë Bllokun paszgjedhor LDK-AAK-Nisma për një qeverisje gjithëpërfshirëse, ku rolin kryesor do ta kishte vetë PDK-ja.
Burime të gazetës Tribuna brenda kësaj partie, kanë bërë të ditur se brenda javës së ardhshme kjo parti do t’i ftojë në takime liderët e partive tjera, me pretendimin se gjërat kanë ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas këtij burimi, PDK në këto takime do të dalë me një plan konkret për dalje nga ngërçi politik.
“Aty parashihet arritja e një marrëveshjeje mes PDK-së dhe Bllokut LDK-AAK dhe Nisma për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse”, i ka thënë ky burim.
Sipas tij, PDK ende nuk ka vendosur nëse do t’i dërgohet ftesa edhe Lëvizjes Vetëvendosje për të qenë pjesë e bisedimeve për krijimin e qeverisë së re.
















