Partia Demokratike e Kosovës është shprehur e gatshme të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, madje duke i ofruar rivalit më të madh politik postin e kryeministrit dhe gjashtë ministri.
Ofertën e PDK-së e ka konfirmuar Dardan Molliqaj, nga Vetëvendosje, i cili thotë se PDK në ofertën që ia ka bërë VV-së përmes një letre, është pajtuar që Lëvizjes Vetëvendosje t’ia japë postin e kryeministrit dhe gjashtë ministri.
“Në letrën që ka ardhur nga PDK-ja, të cilën unë nuk e kam parë, por që e kanë parë njerëzit e VV-së, sepse ne nuk kemi pranuar në asnjë formë të takohemi me ta, PDK është shprehur e gatshme që të pezullojë dialogun, shuarjen e AKP-së dhe ndërprerjen e privatizimit. PDK i ka ofruar VV-së postin e kryeministrit dhe gjashtë ministri” tha Molliqaj, transmeton KTV, citon Koha.net.
Sipas tij, njerëzit e PDK-së kanë konfirmuar se ofertën dhe marrëveshjen për bashkëqeverisja me VV-në, PDK-ja e ka të shkruar dhe mbetet në vullnetin e Lëvizjes Vetëvendosje që ta nënshkruajnë kurdo që të jenë të gatshëm.
Molliqaj tha se ofertën e PDK-së nuk e kanë marrë seriozisht “për shkak të veprimeve të tyre joserioze, që janë komplet kundër interesit të qytetarit të Kosovës.
Ndërsa, përfaqësues te blloku opozitar LDK-AAK-Nisma tërë këtë e shohin si një luftë speciale dhe si përpjekje të PDK-së për të mbetur në pushtet. Telegrafi/
















