Partia Demokratike reagoi sërish sot lidhur me testimin që pritet të zhvillojë Ministria për mjekët. Sipas selisë blu, qeveria në vend që të reflektojë dhe tërhiqet nga vendime të tilla të rrezikshme, ngulmon në rrugën e saj duke thelluar përplasjet mepersonelin e sistemit shëndetësor.
“Së pari, dëshiroj të përshëndes sot Urdhërin e Infermiereve për paraqitjen e kundërshtimit në Gjykatën Administrative të vendimit qeveritar për të ashtuquajturin “testim”. Së dyti, përshëndesim solidaritetin e plotë të mjekëve, stomatologëve, farmacistëve, infermierëve, laborantëve etj, të demostruar këto javë për të ndaluar këtë projekt të paligjshëm e diskriminues ndaj atyre vetë.
Por fatkeqësisht, qeverisja në vend që të reflektojë dhe tërhiqet nga vendime të tilla të rrezikshme, ngulmon në rrugën e saj duke thelluar përplasjet me personeline sistemit shëndetësor”, ka thënë Tritan Shehu në një dalje publike.
Sipas tij, qeveria po tregohet e shurdhër qoftë edhe për të dëgjuar mendimet e Urdhërave, Komisionit Parlamentar, Avokatit të Popullit etj.
“Në këtë mënyrë po kërkohet që artificialisht të krijohen konflikte të pa nevojshme mjekë-pacientë, për të fshehur përgjegjësitë për problemet e mëdha dhe reale të atij sistemi, që kjo qeveri veçse po i shton e zgjeron çdo ditë.
Kërkohet kështu që nëpërmjet këtij “testimi” arbitrar të hidhet mbi personelinshëndetësor përgjegjësia për atë çfarë po ndodh me të gjithë përbërësit e shëndetësisë shqiptare.
Po tentohet nga ana tjetër që ky personel të mbahet i heshtur dhe i terrorizuar, si dhe që vendet e punës të rindahen sipas vullneteve politike e klienteliste.
Në këto kushte anormale, ne dëshirojmë të sigurojmë të gjithë ata që po përballen e ndeshen me padrejtesi të tilla të pashembullta, për solidaritetin e mbështetjen tonë të plotë.
Mbështetja jonë nuk do t’u mungojë atyre në të gjitha hapat e mëtejshme që ata do të ndërmarrin në kundërvënien ndaj arbitraritetit dhe në mbrojtjen e një mjedisi demokratik”, është shprehur Tritan Shehu.
















