Partia Demokratike ka akuzuar Kryeministrin Rama për shpenzim të shfrenuar të fondeve qeveritare për festat e Nëntorit.
Demokratët thonë se qindra miliona lekë të shpenzuara për koncerte festive, skenografi e për medalje në aktivitetet e fundjavës të organizuara nga Kryeministria me rastin e 28 dhe 29 Nëntorit, shkojnë në xhepat e firmave që kanë ngritur ministrat ose stafi i ngushtë i kreut të qeverisë.
Referuar disa fakteve të publikuara në media, Partia Demokratike thotë se janë rreth 300 milionë lekë që i ka marrë e njëjta kompani që shpërblehet nga Edi Rama sa herë ka një aheng qeveritar, 500 milionë lekë nga taksat e shqiptarëve kanë shkuar për këngëtaren Jessie J, ndërsa 50 milionë lekë thotë opozita janë shpenzuar për dekorata për të ushqyer ideologjinë që sjell konflikt e jo bashkim.
Për demokratët luksi i shpenzimeve qeveritare vjen në një kohë kur buxheti i ri parashikon ulje fondesh për të varfërit, për të pamundurit, për asistencën, për fermerët, për shëndetësinë e arsimin.
















