Partia Demokratike i është përgjigjur thirrjes së Ministrisë së Punëve të Brendshme për të denoncuar problemet me rendin, duke shtuar se kanosja më e madhe e këtij vendi është Edi Rama dhe bashkëqeverisja me të. “Rrezik për rendin është ortaku, shoqëruesi, drekuesi e darkuesi, madje shpesh edhe shoferi i Emiliano Shullazit, Saimir Tahiri. Rrezik për rendin është kur oficeri i forcave speciale bëhet pjesë e bandës dhe përplasjes së përgjakshme në mes të Tiranës. Emërimi në krye të SHKB të diplomatit të larguari nga Italia për trafik droge, është rrezik për rendin. Caktimi në krye të Këshillit të Qarkut të Vlorës të personit të përfshirë në rrëmbimin e një fëmije, është rrezik për rendin. Hapja e dyerve të parlamentit për deputetë të lidhur me krimin e trafiqet, është rrezik për rendin”, – thotë PD. Ajo shton më tej listën e problemeve. “Caktimi Drejtor Rajonal të Transportit në Sarande të të kapurit me 750 kg hashash, është rrezik për rendin.
Kur bën kryetar partie dhe Drejtor Rajonal për Transportin e Tiranës, trafikantin e dënuar të drogës, është rrezik për rendin. Vendosja në pikën kyçe të Lojërave të Fatit të të kapurit me 200 kg heroinë në Turqi, është rrezik për rendin”. Mes problemeve të tjera renditet emërimi Drejtor Shërbimesh në Prefekturën e Tiranës të të dënuarit me 10 vite burg për trafik droge, emërimi drejtor në Portin e Durrësit të të dënuarit për trafik droge, emërimi në krye të Ujësjellësit të të dënuarit për trafik droge me 16 vite burg, janë rrezik për rendin. Sipas PD-së, kanosja me e madhe që i behet rendit, është Edi Rama dhe rruga që i ka hapur ai krimit, e bashkëqeverisja me të. “Ai është rreziku më i madh, që qytetarët duhet të denoncojnë”, thuhet në reagimin e partisë më të madhe opozitare në vend.















