Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në Partinë Demokratike, Grida Duma ka denoncuar sot më 11 korrik do të hapet tenderi për hidrocentralin e Skavicës, që siç tha ajo, është paracaktuar që do ta marrë kompania tuke Suzer.
PD akuzoi sërish ministrin Ahmetaj se kishte shkuar me charter disa herë në Turqi për të negociuar marrëveshjen. Partia Demokratike e cilëson këtë tender si korruptiv dhe kërkon që të nisin hetimet
Deklarata e Sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma
Edi Rama ka hapur zyrtarisht rrugën për të përmbyllur aferën e tij Skavica me firmën turke Suzer.
Njoftohet se tenderi do të bëhet me 11 korrik, një garë sa për formalitet, pasi fituesi është i paracakuar, është Suzeri, kompani që zyrtarisht ka marrë ndërkohë 8 pikë bonus nga Rama pasi ka bërë propozimin e pakërkuar.
E vërteta është se kemi të bëjmë me një pakt të kërkuar me kohë, me negociata të paligjshme e private, fillimisht të Edi Ramës, pastaj të Arben Ahmetajt i cili ka ndërmarrë dhjetëra udhëtime luksoze me çarter.
Kur ne e denoncuam këtë pazar të Edi Ramës me pasurinë publike me firmën Suzer, një vit më parë, qeveria e mohoi.
Më pas negociatori i paligjshëm me çarter Ben Ahmetaj e pranoi live në emisionin Zonë e Lirë. Dhe sot, Suzer rezulton edhe me dokument qeveritar si favorit, pasi ka marrë 8 pikë bonus për një propozim të pakërkuar.
Edi Rama po ndan kështu me klientin e tij, një prej projekteve më të mëdha hidroenergjitike në vend e në rajon, një allishverish që ka nisur me negociata të paligjshme e private në Stamboll, e që pritet të mbyllet me 11 korrik në Tiranë.
Suzer dhe çdo kompani tjetër janë të paralajmëruar edhe sot me datë 24 maj 2016 nga Partia Demokratike e Shqipërisë se: koncesioni korruptiv i Skavicës do të zhbëhet. Se një hetim i plotë dhe i gjithanshëm i kësaj afere përfshirë takimet, udhëtimet dhe allishverishin korruptiv Rama-Ahmetaj-Suzer, do të bëhet, në mos sot, nesër.
Partia Demokratike do ta zhbëjë këtë koncesion me forcën e ligjit, si cdo koncesion e aferë tjetër korruptive të Edi Ramës.















