Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos, nuk lëshon asnjë rast pët t’i përcjellë mesazhe Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë se integrimi i vendit në Bashkimin Evropian varet nga Athina dhe ta akuzoje Shkupin për “irredentizëm”.
“Maqedonia ka qenë dhe do të jetë greke”, ka deklaruar Pavlopulos.
“Me deklarata irredentiste nuk mund të anëtarësohen në BE, pasi që po i shkelin parimet evropiane”, ka thënë ai duke iu drejtuar liderëve maqedonas.
“Maqedonia po i shkel ligjet evropiane dhe nuk mund të llogarisë në eurointegrim, pasi nuk i plotëson as kriteret e institucioneve evropiane”, ka shtuar ai.
“Ne qartazi kemi thënë se duam raporte të mira fqinjësore dhe miqësore. Por, kjo gjë shkon përmes respektimit të historisë dhe të institucioneve evropiane”, ka deklaruar Pavlopulos.
Presidenti grek i ka bërë këto deklarata në Vodeni, në një ceremoni solemne me rastin e çlirimit të qytetit nga turqit, ku është shpallur qytetar nderi.
Nga kjo ceremoni ai i është drejtuar me një mesazh edhe Ankarasë, po duke tërhequr vërejtjen se integrimi i Turqisë në Bashkimin Evropian varet nga Greqia.
“Greqia është dera e Turqisë për në Evropë”, ka thënë ai dhe ka shtuar se “për integrimin e Turqisë duhet respektuar historia dhe ligjet ndërkombëtare”.






















